TIRANË, 20 gusht/ATSH/ – Kryetari i Komunitetit Mysliman, Skënder Bruçaj, uron besimtarët myslimanë dhe shqiptarët kudo që ndodhen për festën e Kurban Bajramit.
“Kurban Bajrami është simbol i heroizmit, sakrificës, sinqeritetit, devotshmërisë dhe përkushtimit ndaj Zotit, Krijuesit të Gjithësisë. Besimtarët myslimanë shprehin devotshmërinë e tyre duke bërë kurban dhe duke u solidarizuar me të afërmit, me fqinjët dhe njerëzit në nevojë”, shprehet Bruçaj.
Sipas tij, kjo ditë e bekuar është ditë e harmonisë, bashkëpunimit, e mirësisë dhe e vëllazërimit; ditë e mirënjohjes dhe e falënderimit ndaj mirësive të panumërta, të cilat Allahu i Madhërishëm ia ka dhuruar njerëzimit.
“Prandaj le të lutemi në këto ditë të begata ky mbizotëron përkujdesja hyjnore që dashuria, mëshira, bujaria, dhe sinqeriteti të mbizotërojë në zemrat e njerëzve, në mënyrë që shoqëria jonë të mos përjetojë tragjedi dhe vuajtje. Le t’i gëzohemi së bashku kësaj dite të begatë, në të cilën shpresat, dëshirat dhe ëndrrat tona kthehen nga i Plotfuqishmi dhe realizimi i këtyre aspiratave le të pasqyrohet në aktet dhe veprimet tona në ndihmë të atyre që kanë nevojë për ngrohtësinë, dashurinë dhe vëmendjen e të gjithëve ne”, thekson Bruçaj.
Kryetari i Komunitetit Mysliman, Skënder Bruçaj, uron që kjo kjo ditë të jetë për Shqipërinë dhe shqiptarët ditë feste, gëzimi e bashkëpunimi.
“Mirësia dhe begatia mbretëroftë në shtëpitë dhe sofrat tona! Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë me të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen!”, përfundon urimi i Bruçaj. /k.s/j.p/























