PRISHTINË, 14 gusht/ATSH/- Komuna e Malishevës, për vitin 2019 ka një buxhet prej 14.5 milionë euro, ndërsa prej tyre 4.3 milionë euro, janë të parashikuara për investime kapitale.
Kështu u tha në dëgjimin e parë publik për hartimin e buxhetit për vitin e ardhshëm, ku ishin të pranishëm kryetarët e fshatrave të komunës së Malishevës, bëhet e ditur në një njoftim për shtyp të komunës së Malishevës.
Kryetari i komunës së Malishevës, Ragip Begaj, pasi i ka falënderuar kryetarët e fshatrave për bashkëpunimin e deritanishëm dhe i ftoi ata që të vazhdojnë të japin kontributin e tyre në hartimin e buxhetit për vitin e ardhshëm, përmes propozimeve të tyre, për orientimin e investimeve në vitet në vijim, me theks të veçantë për vitin 2019.
“Gjatë gjithë këtyre viteve, investimet i kemi bërë duke u bazuar në kërkesat dhe nevojat e juaja, e po ashtu edhe këtë vit, do ti orientojmë investimet në këtë formë, duke u bazuar në kërkesat e vendbanimeve”, tha Begaj.
Ndërsa drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Valon Mazreku, duke e prezantuar qarkoren e dytë buxhetore, për Kornizën Afatmesme Buxhetore (KAB) 2019-2021, është fokusuar më shumë në ndarjen e buxhetit që i është bërë Komunës së Malishevës, për vitin 2019.
Sipas tij, buxheti në vitin 2019, do të jetë 2% më i madh se viti paraprak, ku i tërë buxheti do të jetë 14.5 milionë euro, ndërsa për investime kapitale, janë të ndara 4.3 milionë euro.
Pas prezantimit të KAB, kryetarët e fshatrave, i kanë shfaqur kërkesat e vendbanimeve të tyre për investime, ku kryesisht kanë dominuar kërkesat për infrastrukturë, si kanalizime, ujësjellës, rrugë e trotuare, por edhe për përkrahje në fushën e bujqësisë.
Në këtë takim, është kërkuar nga kryetarët e fshatrave, që të jenë aktivë në takimet e tjera, që do të mbahen në vendbanimet e komunës së Malishevës, ndërsa kërkesat e tyre t’i paraqesin me shkrim, në drejtoritë përkatëse./k.s/






















