Ballina Kosova

Prizren, TIKA restauron shkollën “Ruzhdije”

PRISHTINË, 9 gusht/ATSH/- Shkolla “Ruzhdije”, në Prizren do t’i nënshtrohet restaurimit, falë investimit të Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim, TIKA.

Kryetari i komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, gjatë ceremonisë së nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit për restaurimin e shkollës mes TIKA-s dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, bëri të ditur se “investimet në trashëgiminë kulturore ndikojnë jo vetëm në zhvillimin e turizmit, por edhe të ekonomisë në këtë komunë”.

Sipas tij, me këtë memorandum bashkëpunimi janë ndarë edhe detyrimet që ka secili institucion i përfshirë në këtë projekt.

Burak Ceran, koordinator i përgjithshëm në TIKA shkollën “Ruzhdije”, e cilësoi këtë shkollë një objekt shumë të rëndësishëm të trashëgimisë së Prizrenit.

“Ka përfunduar hartimi i projekteve për xhaminë e Gazi Mehmet Pashës, për shkollën “Ruzhdije” në Prizren dhe për “Ruzhdije” në Gjakovë , të cilat janë dorëzuar në qendrat e trashëgimisë kulturore. Projektet e përgatitura për zbatimin e këtyre projekteve janë hartuar mes ekspertëve të Turqisë dhe Kosovës dhe pas shqyrtimit që do të bëhet nga Qendra e Trashëgimore Kulturore dhe Instituti i Kosovës për mbrojtjen e monumenteve do kalohet në fazën e zbatimit të këtyre projekteve”, theksoi ai.

Veton Ferizi, sekretar në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, shprehu besimin se bashkëpunime të tilla me TIKA-n të vazhdojnë edhe më tej. /KosovaPress/k.s/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakCilat vitamina gjenden në lloje të caktuara të ushqimit?
Artikulli tjetërRUSI – Moska shqyrton përgjigjet ndaj sanksioneve të reja amerikane