TIRANË, 3 Gusht /ATSH/ – Prokurori në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Shkodër, Arben Dollapaj, ka dalë sot para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për t’u njohur me rezultatet e hetimit të thelluar ndaj tij, për ligjshmërinë e pasurisë, kontaktet e mundshme me krimin dhe aftësinë profesionale.
Ai është pjesë e listës prioritare për shkak të funksionit si prokuror i Apelit në Shkodër dhe kandidimit të tij për Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
Sipas raportit të ILDKPKI-së, të çuar për KPK-në, prokurori Dollapaj ka pasuri të justifikuar dhe s’ka fshehje të pasurisë. Edhe nga hetimi i thelluar, Arben Dollapaj rezulton me pasuri të justifikuara.
Sipas KPK-së, Dollapaj ka një apartament me sipërfaqe 76 metra katrorë në Bajram Curri; një shtëpi banimi me sipërfaqe 113 m2 në “Selitë të Vogël” në kryeqytet me vlerë 9 milionë lekë; si dhe një shtëpi banimi në Valbonë të Tropojës, ku nuk kanë përfunduar ende punimet.
Për shtëpinë në kryeqytet, të blerë në vitin 2011, si burim financiar janë kursimet personale, ndërkohë që ka marrë edhe një hua nga kunati prej 25 mijë dollarësh.
Në përfundim të hetimit, KPK-ja thekson se nga deklarimet e provat e vëna nga subjekti gjithçka rezulton korrekte, përfshi një leje legalizimi për shtesë kati prej 123 metrash katrorë në shtëpinë e blerë në vitin 2011, pasi konfirmohen edhe nga zyra e legalizimit.
Hetimi administrativ për prokurorin Dollapaj është kryer nga trupi gjykues i kryesuar nga Lulzim Hamitaj dhe me anëtarë Brunilda Bekteshi dhe Olsi Komici.
Prokurori Arben Dollapaj ka një karrierë të gjatë në organin e akuzës në Shqipëri. Ai e ka filluar karrierën në vitin 1993. Në vitin 2003, ai ka qenë prokuror në Durrës, ndërsa në vitet 2004-2008 ka shërbyer si prokuror i Prokurorisë së Rrethit Tiranë.
Në vitet 2008-2016, Dollapaj ka shërbyer në Prokurorinë e Përgjithshme, ku ka mbajtur funksionet e drejtorit të Inspektimit dhe Burimeve Njerëzore si dhe drejtorit të Drejtorisë Gjyqësore dhe Ekzekutimit të Vendimeve Penale.
Paralelisht me detyrën si prokuror, Arben Dollapaj ka qenë edhe anëtar i Këshillit të Prokurorisë si dhe ekspert trajnues në Shkollën e Magjistraturës.
Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për prokurorët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale.
/gj.mima//e.caushi/























