TIRANË, 3 Gusht/ATSH/ – Maxhoranca dhe opozita duhet të bëjnë përpjekje shumë të mëdha për të rivendosur dialogun.
Në një intervistë për Televizonin TV1 Channel nga Shkodra, Presidenti Ilir Meta foli për zhvillimet gjatë këtij sesioni parlamentar ku ka patur protesta nga ana e opozitës, debate dhe bllokim të foltores së Kuvendit.
“Pa diskutim që kjo është një frymë që nuk u shërben proceseve të vendit dhe nëse do të vazhdohet në këtë mënyrë absolutisht që nuk do të ketë çelje të negociatave në qershorin e ardhshëm. Përkundrazi do të ketë përsëri përpjekje për të gjetur fajtorë, apo për të shpikur faktorë për këtë çështje”, tha Presidenti.
Për fat të keq, vijoi Presidenti, pas 28 vitesh përsëri kemi një konflikt të pajustifikuar dhe kemi një pasion për konflikt ku dialogu duhet të mbizotërojë, sidomos për çështje me rëndësi kombëtare, sikurse është çështja e integrimit evropian.
“Kështu që, në këtë drejtim duhet të bëhen përpjekje shumë të mëdha për të rivendosur dialogun. Duhen bërë përpjekje nga të dyja palët, por në qoftë se opozitës i kërkohet të bëjë një hap, mazhorancës gjithmonë i kërkohet të bëjë dy hapa sepse ajo ka përgjegjësi edhe më të madhe përsa i takon vendit dhe qeverisjes dhe drejtimit të tij. Shpresojmë që pas pushimeve të ketë një reflektim, përndryshe dy muaj kanë ikur që nga vendimi i qershorit, kështu mund të ikin dhe dhjetë muaj të tjerë. Është e padobishme”, tha Presidenti.
Lidhur me përmbushjen e sfidave dhe standardeve që kërkohen nga vendet e BE-së, Presidenti Meta u shpreh se nuk shikon asgjë të vështirë nëse ka vullnet për përmbushjen e tyre dhe bashkëpunohet në mënyrë të qëndrueshme./m.m/






















