BUENOS AIRES, 3 gusht /ATSH-AFP/ – Shoferi i një zyrtari të lartë argjentinas mbante shënim në një fletore shkrimi çdo dorëzim në formën e rryshfeteve të valixheve me dollarë, që së fundmi ka rënë në dorën e drejtësisë, ku zbulohet një megaskandal në Argjentinë.
Më shumë se dhjetë persona u arrestuan të mërkurën dhe po merren në pyetje nga hetuesit.
Ky nuk është rasti i parë i korrupsionit që shënjestron administratën e Nestor dhe Cristina Kirchner, por është hera e parë që disa drejtues kompanish po mbahen në paraburgim, si drejtori i përgjithshëm i Kompanisë ‘’Macri’’ themeluar nga Franco Macri, baba i presidentit aktual argjentinas, Mauricio Macri.
Leandro Despouy , ish-kryetari i Institucionit për Auditimin e Sektorit Publik pranë Gjykatës së Lartë u shpreh se sistemi i korrupsionit Kirchner është identifikuar edhe më parë, kjo çështje kërkon të konfirmojë origjinën e korrupsionit, dhe se rangjet e larta të pushtetit kishin ngritur mekanizma, një zinxhir për një korrupsion në shkallë të gjerë.
Sipas shkrimeve të shoferit të Ministrisë për Planifikimin, Oscar Centeno, një ish-ushtarak, çantat me para cash ishin dorëzuar në Ministri mes viteve 2005 dhe 2015 nga disa kompani, përpara se të shpërndaheshin në zona të ndryshme në Buenos Aires, si dhe në rezidencën presidenciale të Nestor dhe Cristina Kirchner./
/v.b/























