Kthimi i ligjit për Teatrin, Balla: Presidenti zgjodhi të mbajë gjallë farsën e opozitës

TIRANË, 27 korrik/ATSH/ – Pas kthimit të ligjit për Teatrin nga ana e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, ka ardhur edhe reagimi i kryetarit të Grupit të PS, Taulant Balla i cili theksoi se Presidenti Meta zgjodhi të mbajë gjallë farsën e opozitës me Teatrin.

Taulant Balla në statusin e tij në rrjetet sociale theksoi se shumica parlamentare, në mbështetje të dekretit të Presidentit dhe Kushtetutës, do të rivotojë projektligjin në fjalë menjëherë sapo Parlamenti të rimblidhet në shtator, për t’i dhënë shqiptarëve dhe artistëve një teatër të ri.

Duke u ndalur tek akuzat e opozitës, Balla bëri me dije se gjuha e zgjedhur nga këta të fundit nuk ka asnjë lidhje me aspiratat europiane të Shqipërisë.

Statusi i plotë

Në 21 janar 2011, Lulzim Basha, Ministër i Brendshëm dhe Sali Berisha, Kryeministër akuzonin protestuesit dhe opozitën për grusht shteti. Sot, 7 vjet më pas, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi, që të dy në opozitë, akuzojnë shumicën qeverisëse për grusht shteti. Me një gjuhë që nuk ka asnjë lidhje me aspiratat europiane të Shqipërisë së vitit 2018, kreu i opozitës kërcënoi sot me ruspa e dinamit sipërmarrësit shqiptarë dhe arkitektët e huaj. E gjithë kjo sjellje pritej, qoftë nga Luli, qoftë nga Mona. I kishim dëgjuar edhe më parë klithmat e tyre të dëshpëruara, si në rastin e parkut të lodrave, si në rastin e stadiumit kombëtar, si në shumë e shumë episode të tjera të opozitës së tyre shterpë.

Fatkeqësisht sot thirrjeve te Lulit e Monës iu përgjigj Presidenti i Republikës. I cili, deri më sot, ka pasur një sjellje të admirueshme, duke mos u bërë palë as e politikave të familjes së tij, as e lojërave të partisë së tij.

Sot, Presidenti zgjodhi të mbajë gjallë farsën e opozitës me teatrin. Të po të njëjtëve individë që protestonin kundër parkut të lodrave, kundër bulevardit të ri, kundër “Rilindjes Urbane” në çdo qytet të Shqipërisë.

Ai që javë më parë i bënte thirrje autoriteteve shtetërore të gjenin gjuhën me artistët sa i takonte projektit të teatrit, sot vendosi kundër vullnetit të artistëve, duke mbështetur lojën e opozitës.

Shumica parlamentare, në mbështetje të dekretit të Presidentit dhe Kushtetutës, do të rivotojë projektligjin në fjalë menjëherë sapo Parlamenti të rimblidhet në shtator. Për t’i dhënë shqiptarëve dhe artistëve një teatër të ri, modern dhe dinjitoz.

/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.