Ballina Aktualitet

Për herë të parë, Rezolutë për Diasporën

TIRANË, 24 Korrik /ATSH/ – Kuvendi i Shqipërisë miratoi rezolutën “Për reformën e politikës shtetërore për diasporën”, një dokument i hartuar me propozim të nënkomisionit parlamentar për Diasporën.

Rezoluta është një dokument i rëndësishëm për avancimin e angazhimeve të Shqipërisë për bashkëpunimin me Diasporën dhe rritjen e aksesit të saj në zhvillimin e vendit.

Në Rezolutën për reformën e politikës shtetërore për diasporën, Kuvendi i Shqipërisë vlerëson hapat e hedhur në ndërtimin e strukturave të politikës shtetërore për diasporën. Vlerëson reformën legjislative kushtuar komuniteteve shqiptare jashtë vendit dhe konkretisht miratimin brenda një periudhe të shkurtër të ligjit nr. 16/2018 “Për diasporën”, ligjit nr. 115/2017 “Për krijimin e Agjencisë Kombëtare të Diasporës” dhe ligjit nr. 32/2018 “Për Fondin e Zhvillimit të Diasporës”.

Kuvendi konsideron veprimtarinë shtetërore në këtë fushë si të një rëndësie të veçantë, e cila lidh përgjegjësitë e shtetit shqiptar me statusin ligjor të shtetasve dhe bashkëkombasve tanë jashtë vendit.

Kuvendi vlerëson bashkëpunimin me shtetin e Kosovës dhe vendeve të tjera fqinje, në këtë drejtim të rëndësishëm dhe strategjik për të ardhmen, si pjesë e procesit të integrimit europian të rajonit;

Kuvendi i konsideruar të rëndësishme propozimet e Nënkomisionit për
Diasporën në lidhje me Miratimin e Strategjisë Kombëtare për Diasporën 2018-2024 nga Këshilli i Ministrave si një dokument kyç për veprimin dhe aplikimin e politikave të reja të
institucioneve shtetërore në këtë fushë të veprimtarisë shtetërore.

Nisjen sa më shpejt të funksionimit të institucioneve të krijuara nga legjislacioni i ri i miratuar për këtë qëllim.

Bashkëpunimin institucional, në mënyrë të veçantë, me shtetin e Kosovës për të përcaktuar një politikë të qëndrueshme dhe afatgjatë në funksion të interesave të komuniteteve shqiptare aty ku ata jetojnë, në vendet pritëse.
Punën paraprake të Komisionit të Reformës Zgjedhore, në programin e diskutimit të së cilit një nga çështjet për t’u diskutuar dhe vendosur është dhënia e së drejtës së votës shtetasve shqiptarë, të cilët banojnë jashtë vendit. Vendimin e Këshillit të Ministrave që me rastin e vitit të Gjergj Kastrioti Skënderbeut të organizohet në Tiranë aktiviteti i Samitit të Dytë të Diasporës
Shqiptare.

Kuvendi vëren dhe vlerëson se në vitin 2017 – 2018, në Kryesine e Kuvendit janë organizuar disa aktivitete në funksion të interesave të diasporës dhe migracionit. Këto takime publike kanë qenë një rast për ta bërë të ndjeshme edhe më shumë për nivele të ndryshme të politikës dhe administratës garantimin e të drejtave kushtetuese të diasporës dhe migracionit. Krijimin e një kanali televiziv “TVSH 3” nga Radio Televizioni Publik i Shqipërisë në zbatim të ligjit “Për diasporën” është një hap i rëndësishëm për forcimin e komunikimit me bashkëkombasit jashtë vendit. Fillimin e punës nga Muzeu Kombëtar, në bazë të ligjit të ri “Për diasporën”, për hapësirën brenda tij kushtuar historikut të diasporës shqiptare, është një detyrim ligjor dhe moral ndaj shtresës së shoqërisë shqiptare që e ka ndihmuar vendin nga distanca e mërgimit. Shembujt e kësaj ndihme vlejnë edhe sot në kushtet e një shoqërie globale, ku ruajtja e identitetit është detyrë dhe sfidë shtetërore.

Miratimin nga ministritë përgjegjëse të arsimit të Shqipërisë dhe të Kosovës i “curriculave” të arsimimit në diasporë është një hap i rëndësishëm për ruajtjen e identitetit kulturor e arsimor shqiptar në diasporë. Kjo punë e nisur duhet të përfundojë me realizimin e librave mësimorë të nevojshëm për brezin e ri të shqiptarëve të mërguar.

Organizimet kulturore në diasporë kanë filluar të kenë një rol të dorës së parë në ruajtjen e identitetit jashtë vendit. Ngritja e qendrave të kulturës në diasporë, sipas legjislacionit të ri dhe në bashkëpunim me shtetin e Kosovës, në funksion të marrëveshjeve bilaterale midis dy shteteve, do të ndihmojnë në krijimin e një programi kulturor të përbashkët për bashkëkombasit dhe brezat e rinj në diasporë.

Ministria për Europën dhe Politikën e Jashtme ka ndërmarrë veprime të rëndësishme në fushën e shërbimeve konsullore për shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit. Shërbimet on-line kanë lehtësuar dhe shkurtuar procedurat burokratike në shërbimet konsullore. Kjo ministri ka firmosur dhe po negocion marrëveshje të rëndësishme për cilësinë e jetës së shtetasve shqiptarë jashtë vendit, siç janë ato në fushën e sigurimeve.

Krijimi i Qendrës së Botimeve për Diasporën, në zbatim të legjislacionit të ri për diasporën, është hap i rëndësishëm në ruajtjen e identitetit dhe arsimimit për shqiptarët e rinj larg vendlindjes. Kjo qendër do të shërbejë si një cilësi e re në fushën e publikimeve dhe shpërndarjes së librit për diasporën.

Për shtetasit që janë larguar nga vendi ekziston një numër i ulët botimesh on-line, në gjuhën shqipe. Në këtë drejtim kërkohet një bashkëpunim institucional të ministrive përgjegjëse të arsimit, kulturës dhe diasporës për të gjetur zgjidhjet dhe krijuar rezultatet.

Marrëdhënia e Shqipërisë me diasporën po ndjen nevojën e bashkëpunimit me inteligjencën dhe fuqinë punëtore të kualifikuar jashtë vendit.
Përfshirja e diasporës në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të Shqipërisë është një sfidë administrative. Fillimi i punës për krijimin e Dhomës së Biznesit për Diasporën është një hap i rëndësishëm në drejtimin e duhur.

Kuvendi kërkon që nënkomisioni për Diasporën dhe Migracionin krijuar me vendimin nr.
98/2017 të Kuvendit të Shqipërisë si tregues i vëmendjes në rritje që Kuvendi,
si institucioni më i lartë i vendit, i ka dedikuar kësaj çështjeje, të ketë rol aktiv në
ndjekjen e zbatimit të kuadrit ligjor për diasporën dhe të jetë një interlokutor, në
emër të Kuvendit, për verifikimin dhe informimin me ecurinë e reformës në fushat
të cilat ai mbulon.

Angazhimin në vazhdimësi nga institucionet dhe agjencitë përgjegjëse të administratës në vlerësimin e masave të Planit të Veprimit të Strategjisë Kombëtare të Diasporës 2018 – 2024.

Zgjidhjen e së drejtës së votës për shtetasit shqiptarë jashtë vendit me mekanizma ligjorë nga Komisioni i Reformës Zgjedhore, duke u bazuar në modelet e njohura perëndimore, në bashkëpunim me OSBE-ODIHR-in.

Bërjen funksionale në bazë të legjislacionit të miratuar, të organizimit institucional dhe strukturave shtetërore për diasporën, brenda vitit 2018.

Koordinimin me institucionet përgjegjëse në fushën e diasporës të shtetit të Kosovës për hedhjen e hapave të përbashkët, në një marrëdhënie ku është i rëndësishëm edhe bashkëpunimi me shtetet e tjera fqinje dhe rajon.

Krijimi i një programi të veçantë nga ministritë përgjegjëse për arsimin, kulturën dhe diasporën për botimet online në fushën e arsimit dhe librit shqip, për të cilin komisionet përgjegjëse në Kuvendin e Shqipërisë të kërkojnë informacion periodik për fazat e realizimit të tij.

Nxitjen e organeve të vetëqeverisjes vendore për të mundësuar aksesin e diasporës, me qëllim shkurtimin e “distancave” administrative me shtresën popullsisë që nuk jeton brenda vendit.

Paraqitjen dhe/ose ndërmarrjen e nismave të nevojshme nga organet kompetente për rishikimin e ligjit “Për shtetësinë” dhe kuadrit ligjor përkatës për t’iu përgjigjur shqetësimeve të shtetasve shqiptarë jashtë vendit dhe fenomenit të “pashtetësisë”, të ngritur nga struktura përgjegjëse e OKB-së për këtë çështje, zyra e UNCHR-së në Tiranë.

Kuvendi i Shqipërisë vlerëson si të nevojshme diskutimin dhe vlerësimin periodik të çështjeve që kanë të bëjnë me diasporën dhe interesat e shtetasve shqiptarë jashtë vendit. Ai konsideron se në kushtet e reja sociale dhe procesin e integrimit në Bashkimin Europian, dallimet e shtetasve, të cilët jetojnë “jashtë” dhe “brenda” vendit, janë ngushtuar. Ato kërkojnë përgjigje ligjore dhe administrative të duhura.

Diaspora është pasuria kombëtare e Shqipërisë. Kuvendi i Shqipërisë është i përkushtuar që kjo të kthehet në një realitet të prekshëm nga qytetarët që kanë votuar apo që do të votojnë nesër për të ardhmen e përbashkët.

/gj.mima/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakVetingu, Rama: Po operojmë organizma të kancerizuar që e degraduan drejtësinë
Artikulli tjetërBRUKSEL – Nxitje financiare për të rritur frymën e bashkëpunimit mes vendeve të BE-së për migrantët