TRIPOLI, 15 korrik /ATSH-AFP/ – Shefja e diplomacisë europiane, Federica Mogherini zhvilloi bisedime në Libi për migracionin dhe bashkëpunimin në kuadër të një vizite për inaugurimin e mjediseve të delegacionit të BE-së dhe misionit të asistencës dhe mbikëqyrjes së kufijve (EUBAM).
Shefja e diplomacisë europiane, Federica Mogherini u takua me kreun e qeverisë së Unionit Kombëtar (GNA) Fayez al-Sarraj, i cili përshëndeti në një komunikatë vizitën e parë në Libi të zyrtares europiane.
Libia vazhdon të jetë e zhytur në kaos, shtatë vite pas revoltës së armatosur dhe ndërhyrjes perëndimore që çoi në rrëzimin e Mouammar Kadhafit në vitin 2011.
Bashkimi Europian është mbështetësi i parë humanitar i Libisë dhe veçanërisht nëpërmjet programeve të OKB-së në këtë vend si dhe partneri kryesor ekonomik.
“Me hapjen e mjediseve të delegacionit europian në kryeqytetin libian, prania jonë do të jetë më e rregullt”, deklaroi Mogherini.
“Ne kemi diskutuar për mbështetjen që jep Bashkimi Europian për Libinë dhe popullin libian”, deklaroi Mogherini pas takimeve me Sarraj, që ajo i cilësoi si të shkëlqyeshme.
“Për Bashkimin Europian, Libia është një fqinj i afërt dhe vend mik dhe vazhdimi i mbështetjes tonë për libianët do të rritet akoma më shumë në muajt e ardhshëm”, shtoi ajo.
Zyrtarja europiane rikonfirmoi mbështetjen e BE-së në procesin politik në Libi./
/ec/






















