PRISHTINË, 13 korrik/ATSH/- Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, po merr pjesë në takimin SHBA-Karta e Adriatikut në Zagreb, ku i pranishëm për herë të parë është edhe Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis.
Në fjalimin e tij, Hoxhaj i kërkoi para sekretarit Mattis dhe shteteve anëtare që Kosova të bëhet me ushtri, meqë është gati dhe plotëson të gjitha parametrat për ta fituar të drejtën e një ushtrie të mirëfilltë.
“Është e rëndësishme ta theksoj këtu se Forca e Sigurisë së Kosovës është e gatshme për t’u transformuar në një forcë ushtarake tradicionale me mandat të mbrojtjes territoriale. Është e drejtë e jona sovrane për ta ndërmarrë këtë veprim. Është një proces i ngritjes dhe përgatitjes profesionale të FSK-së, prej fillimit nga NATO dhe shtetet partnere. Kosova është shteti i vetëm në Ballkan dhe në Europë që nuk ka një ushtri për shkak të pengesave të jashtme për ta përmbyllur tranzicionin”, theksoi Hoxhaj.
Hoxhaj kërkoi anëtarësimin e plotë të Kosovës në Kartën e Adriatikut, meqë për disa vite është vetëm si shtet anëtar vëzhgues.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Mattis për herë të parë po viziton Ballkanin, duke marrë pjesë në këtë takim të veçantë SHBA-Karta e Adriatikut. /KosovaPress/k.s/













