TIRANË, 7 korrik/ATSH/.- Bashkia e Beratit dhe ajo e Amasyas, Turqi do të ngrenë grupe të përbashkëta pune për realizimin dhe konkretizimin e disa projekteve në fushat ekonomike, sociale dhe kulturore.
Kjo u bë e ditur gjatë një takimi të zhvilluar sot në qytetitn e një mbi një dritareve mes kryetarit të bashkisë së Beratit, Petrit Sinaj dhe nënkryetarit të bashkisë Amasya, Osman Akbas.
Bashkia e Beratit dhe ajo e Amasyas, si bashki binjake, kanë nënshkruar një protokoll bashkëpunimi ndërmjet tyre për projekte të përbashkëta në fushat e kulturës, trashëgimisë kulturore, arsimit, shërbimeve sociale, produkteve industriale dhe bujqësore.
Kryetari i bashkisë së Beratit Petirt Sinaj u shpreh se “e përbashkëta e diskutimeve të sotme midis të dyja palëve lidhej me faktin që projektet e bashkëpunimit të mos mbeteshin vetëm në kuadrin e fjalëve, por të kalonin në fazën e konkretizimit, duke ngritur grupe të përbashkëta pune për realizmin e tyre”.
“Ky bashkëpunim do të konsistojë kryesisht në përgatitjen e projekteve sipas standardeve europiane, në mënyrë që edhe Amasya, duke ndjekur modelin e Beratit, të bëhet shumë shpejt pjesë e UNESCO-s; projekte për të përftuar nga fondi IPA; shkëmbim eksperiencash midis të rinjve shqiptarë dhe turq, duke i bërë ata pjesëmarrës në Kampin “Trashëgimi plus”; shkëmbim përvoje në fushën e restaurimeve, monumenteve të kulturës, shërbimeve sociale, aktiviteteve kulturore etj”, theksoi ai.
Në fund të takimit, të ftuarit nga Amasya vizituan qendrat kulturore dhe historike të qytetit të Beratit./k.s/





















