Ballina Kosova

Kosovë- 100 filma në edicionin e 17-të të Dokufest

PRISHTINË, 6 korrik/ATSH/.- DokuFest shpalli sot programin e filmave në garë për edicionin e 17-të, i cili do të mbahet nga data 3-11 gusht në Prizren, Kosovë.

Festivali do të shfaqë 100 filma në gjashtë kategoritë garuese të tij e që përfaqësojnë 40 shtete – përfshirë dhjetë premiera botërore, katër premiera ndërkombëtare dhe një numër të premierave europiane dhe rajonale. Të gjithë filmat e tjerë që shfaqen në festival do të kenë premierën kosovare.

Filma dokumentarë të jashtëzakonshëm, si dhe një numër i mrekullueshëm i filmave të shkurtër dhe të kinemasë eksperimentale është ajo çfarë e karakterizon përzgjedhjen e këtij edicioni.

Një numër i regjisorëve do të rikthehen të prezantojnë filmat e tyre për herë të dytë ose tretë në festival, ndërsa programi përfshin edhe regjisorë të rinj puna e të cilëve prezantohet në seksionet e garës.

Në ditët në vijim festivali do të vazhdojë të shpallë programet e tjera speciale, përfshirë edhe programin e njohur “View From the World”, si dhe programin e kuruar për temën qendrore të festivalit ‘Reflektimi’.

“”Të guximshëm dhe aventurier”, kështu do t’i etiketoja shumë prej filmave dhe regjisorëve pas tyre”, tha drejtori artistik i festivalit,Veton Nurkollari.

“DokuFest vazhdon të sjellë më të mirën nga fusha e filmit në Prizren dhe Kosovë dhe ne jemi të kënaqur që edhe njëherë jemi në gjendje të prezantojmë veprat e cilësisë më të lartë nga regjisorët e rinj dhe mjeshtrit e kinemasë”./KosovaPress/k.s/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBushati për Euroactiv: Vendimi i BE-së për negociatat inkurajon reformat
Artikulli tjetërFRANCË – Këshilli Kushtetues nuk e konsideron të paligjshme ndihmën ndaj migrantëve