TIRANË, 6 korrik/ATSH/- Investimet e kryera e kanë kthyer parkun e madh të liqenit artificial në destinacionin më të preferuar për qytetarët e Tiranës.
Pas rikualifikimeve të bëra në këtë zonë, punonjësit e mirëmbajtjes së qytetit po kujdesen jo vetëm për pastërtinë e ambienteve por edhe në gjelbërimin e parkut.
Kështu, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj e cilësoi parkun e madh më të bukur akoma, për disa arsye. Sipas tij, kolegët po mbjellin bimë dekorative, lule e kacavjerrëse për kompletimin, “qëndisjen e peizazhit”, sikurse e cilësoi ai, tek të gjitha objektet e sapo rikualifikuara.
“Nëse mendoni se parku i madh nuk ka ku të shkojë më bukur se kaq, gaboheni! Kolegët po mbjellin bimësi dekorative, lule e kacavjerrëse për kompletimin, qëndisjen e peizazhit tek të gjitha bisedkat e objektet e sapo rikualifikuara”, shkruan Veliaj në faqen zyrtare të tij, në rrjetin social “Facebook”.
Parku i madh i liqenit është një nga zonat që ka pësuar transformim total në kryeqytet dhe preferohet jo vetëm për të kaluar kohën e lirë por edhe për të zhvilluar aktivitete të ndryshme sportive.
/z.tosku//m.m/



























