Ballina Bota

ARMENI – Pachinian në një megaoperacion kundër korrupsionit

EREVAN, 5 korrik /ATSH-AFP/ – Nga ushtria në dogana dhe në shkolla është operacioni gjigant kundër korrupsionit që ka ndërmarrë kryeministri armen, Nikol Pachinian, që kur manifestimet masive e sollën në pushtet, jo pa rezistencë nga ana e elitave të këtij vendi të vogël të Kaukazit.

Nikol Pachinian u zgjodh në muajin maj në këtë post me pushtete të zgjeruara, pas manifestimeve disa javore të dhjetëra mijëra armenëve që protestuan kundër ish-presidentit, Serge Sarkissian dhe projektit të tij për të qendruar si kryeministër.

Ish-gazetari karizmatik, 42 vjeç, e krijoi popullaritetin me premtimin për t’i dhënë fund korrupsionit, që ka qenë prej shumë kohësh shkaku kryesor i reagimit të popullsisë kundër klasës drejtuese.

Muajin e kaluar, drejtësia armene hapi hetime kundër korrupsionit që synonin autoritetet e kryeqytetit, Erevan, ushtrinë, doganat si dhe shkollat.

Zyrtarë të lartë janë ndaluar.

Kontrollet kanë prekur vëllain dhe nipin e Serge Sarkissian. Sipas hetuesve, kompania e nipit të ish-presidentit dyshohet se nuk ka paguar rreth 500 000 euro taksa.

Goditja më e madhe ka ndodhur në mes të qershorit me arrestimin e gjeneralit në pension, Manvel Grigorian, i cili ka qenë gjithashtu deputet i ish-partisë në pushtet, Partisë Republikane të Sarkissian.

Kjo figurë e respektuar e luftës me Azerbajxhanin në vitet 1990 është akuzuar për shpërdorim masiv të të ardhurave shtetërore dhe posedim të paligjshëm të armëve.

“Po asistojmë në zbulimin më të madh të korrupsionit në historinë e vendit tonë”, nënvizoi kryeministri, Nikol Pachinian duke e komentuar këtë çështje para kabinetit ministror.

Operacioni anti-korrupsion ka zbardhur raste të evazionit fiskal të kompanive të mëdha të lidhura me Partinë Republikane./ /ec/ a.jor.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakJava e modës në Paris, paradë ngjyrash nga “Valentino”
Artikulli tjetërNeumann: Jo diskriminimit të grave në komentimin e ndeshjeve të futbollit