Ballina Ekonomi

Markoviç: Forcim të bashkëpunimit ekonomik dhe hapje të pikës kufitare Tuzë-Bajzë

TIRANË, 3 korrik/ATSH/- Mali i Zi dhe Shqipëria do të intensifikojnë më tej bashkëpunimin dypalësh, pasi i kanë marrëdhëniet të shkëlqyera por edhe mundësitë e shumta për fuqizimin e këtyre marrëdhënieve në të ardhme.

Në mbledhjen e përbashkët e dy qeverive Shqipëri e Mali i Zi që po mbahet në Shkodër, Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviç siguroi për mbështetjen e qeverisë së tij në kuadër të procesit të integrimit si dhe për bashkëpunim rajonal.

“Kam dëshirë të uroj Shqipërinë për vendimin e Bashkimit Europian për caktimin e datës së fillimit të negociatave me një bindje të thellë që do të vijojë me të njëjtin ritëm procesin e thellimit të reformave gjithëpërfshirëse dhe përvetësimit të standardit dhe vlerave europiane”, deklaroi Markoviç.

Rikonfirmoj, shtoi ai, gatishmërinë e Malit të Zi që edhe në periudhën e ardhshme të jetë mbështetëse në realizimin e qëllimeve të përbashkëta integruese dhe të ofrojë përvojat e veta.

Për këto 6 vite që ne jemi në procesin e negociatave, Mali i Zi, tha Markoviç , ka hapur 31 kapituj të negociatave dhe ka mbyllur dy prej tyre. Ka shumë punë dhe duhet të punojmë më shumë.

“Ne krahas përmbushjes së detyrimeve i kemi forcuar kapacitetet tona që është një nga vlerat më të mëdha të këtij procesi dhe do të ketë efekte afatgjata pozitive, pasi procesi i integrimit në BE nuk është vetëm për t’u anëtarësuar, por edhe për t’u bashkuar vlerave të cilat u takojmë dhe historikisht ishim mbrapa për shkak të rrethanave që është më mirë t’i lëmë pas”, deklaroi kryeministri malazez.

Duhet, theksoi ai, të shikojmë përpara për të siguruar një të ardhme më të mirë për qytetarët tanë.

“Këtë duhet dhe mund ta bëjmë bashkërisht. Prandaj përveç anëtarësimit në BE dhe bashkëveprimit në kuadër të aleancës së NATO-s, vend i rëndësishëm i politikës sonë të jashtme i takon zhvillimit të marrëdhënieve tona fqinjësore, gjë që është e nevojshme edhe për qëllime të stabilitetit e prosperitetit rajonal, posaçërisht në kohën kur ballafaqohemi çdo ditë me sfidat politike e ekonomike”, vuri në dukje kryeministri Markoviç.

Për këtë arsye, vijoi ai, jemi të përkushtuar në bashkëpunimin rajonal, ku përmes nismave të ndryshme realizojmë format konkrete të bashkëpunimit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Këtu, ai veçoi bashkëpunimin e vendeve të rajonit në kuadër të procesit të Berlinit.
“Na gëzon që kjo iniciativë e iniciuar nga Gjermani me qëllim zhvillimin e vendeve të rajonit dhe progresin cilësor të tyre drejt anëtarësimit në BE . Nisma mbetet e fokusuar kryesisht te asistenca konkrete e vendeve tona në realizimin e projekteve kyçe të komunikacionit dhe energjetikës që do t’i kontribuojnë zhvillimit individual dhe të përgjithshëm të rajonit”, shtoi Markoviç .

Ai nënvizoi detyrimin për të shfrytëzuar këtë shans për ta inkuadruar në një kontekst më të gjerë europian duke pozicionuar vendet tona në drejtime infrastrukturore kryesore europiane, sepse vuri në dukje kryeministri malazez qytetarët tanë meritojnë shumë më shumë se qorësokaket ankronike ballkanike.

Integrimi në BE, theksoi ai, është prioritet i të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Ky vit, sipas tij, ka sjellë mjaft vëmendje për rajonin dhe përfitime nga strategjia për vendet e Ballkanit Perëndimor e BE-së, pakos së zgjerimit, samitit në Sofjes, samitit të vendeve të rajonit dhe pritshmërive nga samiti i Londrës.

Ne, theksoi Markoviç, mund të jemi të kënaqur me intensifikimin e dialogut mes BE e rajonit.

Ai njëkohësisht theksoi se duhet të përpiqemi të avancojmë bashkëpunimin ekonomik mes Malit të Zi dhe Shqipërisë, duke marrë në konsideratë potencialin e madh në degë të shumta të ekonomisë që mund të shfrytëzohen në mënyrë shumë mirë në periudhën e ardhshme.

“Komunikimi i vazhdueshëm dhe cilësor i autoriteteve të dy vendeve do të rezultojë me nënshkrimin e disa marrëveshjeve si dhe me një marrëveshje në intensifikimin e bashkëpunimit në ato fusha, ku ky bashkëpunim është i nevojshëm dhe i dobishëm, siç është lufta kundër krimit ndërkufitar, shfrytëzimi i fondeve të BE-së për modernizimin e pikave të kalimit, të fushës së administratës publike arsimi, turizmi, shkenca etj”, u shpreh Markoviç.

Kryeministri malazez foli edhe rreth forumit të biznesit që do të mbahet pas kësaj mbledhjeje, i cili theksoi Markoviç duhet të konkretizojë këto potenciale të shumta të bashkëpunimit.

Prandaj, u shpreh kryeministri malazez, është me shumë rëndësi të tregojmë vendosmëri në përmirësimin e treguesve ekonomikë dhe inicimin e aktiviteteve për projektet e përbashkëta në disa fusha, si treguesit më të dukshëm të bashkëpunimit bilateral që deri tani nuk i kanë përcjellë marrëdhëniet e mira politike mes Malit të Zi dhe Shqipërisë.

“Jemi të vetëdijshëm se lidhjet e mira të komunikacionit rrugor janë kyçe për pjesëmarrjen në të gjitha mallrat dhe shërbimeve që prodhohen apo do të prodhohen me vendet e Ballkanit Perëndimor. Ndërsa lidhshmëria energjetike është e domosdoshme si për investimet e ardhshme në sektorin energjetik ashtu edhe për qarkullimin e lirë të energjisë në vendet tona, prej të cilit çdo vend do të vjelë përfitimet e veçanta financiare dhe strategjike”, tha Markoviç.

Pika e kalimit kufitar

Hapja e pikës së kalimit kufitar Tuzë-Bajzë, modernizimi dhe zgjerimi i infrastrukturës në pikën kufitare Hani i Hotit- Muriqan, do të krijojë mundësi për shfrytëzimin e kapaciteteve të plota për potencialet turistike mes dy palëve, avancimin e shkëmbimeve tregtare por edhe shfrytëzimin shumë më të mirë të kapaciteteve të porteve tona.

Sipas tij, autostrada Adriatik-Jon do të ketë një rëndësi vitale për dy vendet tona.

“Duhet punuar me avancimin e mëtejshëm të kuadrit duke nënshkruar marrëveshjen ndërshtetërore në të cilën në mënyrë ligjore do të rregullohen raportet e ujërave, për fuqizimin e potencialit hidroenergjetike, të fuqizohet bashkëpunimi në fushën e gjyqësorit, policisë etj”, deklaroi kreu i qeverisë malazeze.

Markoviç u shpreh se Mali i Zi do të marrë pjesë në projekte rajonale të miratuara në samitin e Triestes. Gjithashtu shtoi ai, do të vazhdojë me realizimin e aktiviteteve që i referohen projekteve infrastrukturore dhe do të mundohemi t’i shfrytëzojmë sa më shumë grantet që kemi në dispozicion të kuadrit investues të Ballkanit Perëndimor në këtë fushë, në mënyrë që edhe në samitin e Londrës më 10 korrik të këtij viti të shfrytëzojmë mjetet e duhura për zbatimin e tyre.

Duke folur për shqiptarët që jetojnë në Mal të Zi, Markoviç theksoi se ‘”shqiptarët në Mal të Zi janë qytetarë që i kontribuojnë zhvillimit të vendit , janë pjesëmarrës aktivë dhe promovues të realizimit të prioriteteve strategjike të shtetit, janë faktor i stabilitetit të ndërtimit të një të ardhme më të mirë të vendit”.

“Me të njëjtën mënyrë siç janë malazezët në Shqipëri qytetarë që kontribuojnë zhvillimit të saj dhe jetës politike shoqërore, duke ruajtur identitetin dhe traditën e vet”, nënvizoi Markoviç./a.gjonaj/k.s/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakProjekte strategjike për zhvillimin e rajonit
Artikulli tjetërShqipëria dhe Mali i Zi nxisin heqjen e barrierave jotarifore