ROMË, 3 korrik /ATSH-AFP/ – Qeveria italiane miratoi të hënën në mbrëmje masa për të nxitur punësimin në gadishull duke i bërë më të kushtueshme shkurtimet nga puna apo duke sanksionuar kompanitë e subvencionuara që zhvendosen nga vendi.
Shkalla e papunësisë në Itali ishte 10,7% në muajin maj, një shifër shumë më e lartë se ajo e zonës euro që paraqitej në 8,4% në po të njëjtin muaj.
”Këshilli i Ministrave, i cili u mblodh të hënën në mbrëmje, miratoi një dekretligj që përfshin masa urgjente për dinjitetin e punonjësve dhe kompanive”, bëhej e ditur në një deklaratë.
Këto masa synojnë kryesisht për të kufizuar përdorimin e Kontratave me Afat të Caktuar (CDD).
Në terma konkretë nuk do të jetë më e mundur të kalohen dy vite kontratë me afat të caktuar (kundrejt tre që ishin më parë), edhe nëse i referohemi rrethanave të jashtëzakonshme.
Përveç kësaj, kontratat me afat të caktuar do të jenë subjekt i një kontributi në rritje të sigurime shoqërore me 0,5% nga rinovimi i parë për një maksimum prej katër rinovimesh, krahasuar me pesë që ishin më parë.
Zhdëmtimet e shkurtimeve të padrejta nga puna do të rriten me 50% dhe mund të arrijnë deri në 36 muaj pagë./ /v.b/ a.jor.






















