TIRANË, 2 korrik/ATSH/ – Një mësuese nga Vlora, të cilës Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore e këtij qyteti nuk i njihte një periudhë pune, gjeti zgjidhje përmes platformës së bashkëqeverisjes “shqiperiaqeduam.al”.
Me ardhjen e ankesës në muajin qershor në platformën e bashkëqeverisjes, Instituti i Sigurimeve Shoqërore e vlerësoi si të drejtë kërkesën e zonjës Hoxhaj dhe vendosi që periudhat e munguara të përfshihen në llogaritjen e përgjithshme të periudhave të sigurimit dhe kështu masa e pensionit të zonjës Hoxhaj pësoi rritje.
Çështja e saj gjeti zgjidhje për dy ditë dhe në këtë mënyrë shqetësimi i zonjës Hoxhaj për të evituar rrugën gjyqësore mori zgjidhje.
Në një takim me koordinatorët e bashkëqeverisjes, mësuesja Hoxhaj duke marrë fjalën falënderoi Kryeministrin Edi Rama për mundësinë e dhënë përmes platformës së bashkëqeverisjes. “Në këtë mënyrë problemet tona marrin zgjidhje në një afat kohor shumë të shkurtër”, – u shpreh ajo.
“Unë me këtë zgjidhja që mora evitova rrugën gjyqësore, për të zgjidhur problemin tim. Jam shumë e kënaqur, pasi më erdhi përgjigja brenda 9 ditëve pranë shtëpisë time falë platformës së bashkëqeverisjes”, – tha Hoxhaj.
“Më vjen shumë mirë që u zgjidh problemi, zonja ka qenë mësuese për 40 vite, u drejtua në telefon mua me një mesazh, unë i ktheva përgjigjen që kthej zakonisht në këto raste: ‘shqiperiaqeduam.al’. Më shkruajti një mesazh tjetër do ta provoj me këtë, por m’u duk sikur nuk më besoi, iu duka sikur po e përcillja për të vazhduar në rrugët e pafundme, ku është endur për një kohë të gjatë”, – theksoi Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se “koha tregoi që platforma është jo një përcjellje e njerëzve për të larë gojën, por një adresim i duhur, në vendin e duhur për të zgjidhur problemin”.
“Platforma është më e shpejtë dhe efikase”, – shtoi Rama. /k.s/ /a.g/




















