TIRANË, 21 qershor/ATSH-Maela Marini/ – Gjermania mbështet tërësisht hapjen e negociatave dhe ajo është promotorja e një mbështetje të madhe të Shqipërisë në samitin e 28 qershorit.
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla iu përgjigj sot në Kuvend deklaratave të Kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, sipas së cilit Gjermania është kundër çeljes së negociatave për Shqipërinë.
“Në mënyrë të përsëritur, Basha po mundohet të pengojë funksionimin normal të punimeve të Kuvendit. Sot ndryshe nga seancat e kaluara nuk dëgjuam për Babalen. Kjo është pamja ku, Sali, degjeneroi partia jote dhe partia e idealeve të dhjetorit”, – tha Balla, duke komentuar qëndrimin e sotëm të opozitës në Kuvend, e cila nuk pranoi të lironte foltoren e Kuvendit, duke krijuar kaos në sallë.
Sa për deklaratën ‘bombë’ të servirur nga kryetari në detyrë i PD-së, vijoi Balla, “mënyra se si e tha Basha sot vendimmarrjen e koalicionit të madh në Gjermani, ka të bëjë me mënyrën se si e lexon Babalja vendimmarrjen për hapjen e negociatave dhe pozicionin e mikes së Shqipërisë, Kancelares Angela Merkel.
Sipas Ballës, “e vërteta e madhe është se Gjermania po e ndjek me vëmendje situatën në Shqipëri”.
“Koalicioni qeverisës dhe Bundestagu gjerman, mbështesin tërësisht hapjen e negociatave. Qeveria gjermane është promotorja e një mbështetje të madhe të Shqipërisë në samitin e 28 qershorit”, – tha Balla.
Ai akuzoi kreun e PD-së se u mundua të bëjë gjithçka kundër hapjes së negociatave. “Edhe kjo panoramë është turpi juaj dhe nuk i bën nder as Shqipërisë dhe as PD-së”, – tha Balla.
Samiti i 28 qershorit, Shqipëria pret një “Po”
Në një prononcim për mediet pas përfundimit të seancës plenare, Balla foli mbi pritshmëritë e Shqipërisë nga Samiti i 28 qershorit.
Pritshmëria e Shqipërisë, tha Balla, “është që në 28 qershor të kemi një ‘Po’ që lejon fillimin e punës parapërgatitore”.
Duke evidentuar përgjigjet me të cilat mund të përballet Shqipëria në 28 qershor, Balla tha se “presim një ‘Po’ ose një ‘Jo’. Në rast të një ‘Po-je’, menjëherë më pas fillon puna parapërgatitore për fillimin e negociatave dhe në rast të një ‘Jo-je’ nuk fillon puna parapërgatitore”, – sqaroi Balla.
Sipas tij, “ka pasur raste të ngjashme që Këshilli Europian ka dhënë ‘Po-në’, ka filluar puna parapërgatitore, por gjatë punës parapërgatitore Komisioni Europian vijon monitorimin për çështje të veçanta”.
“Në qeverinë gjermane dhe Bundestagun gjerman ka një mazhorancë të cilësuar në favor të një ‘Po-je’ në 28 qershor. Mund të jetë edhe ‘Jo’, por që lejon fillimin e punës parapërgatitore, por pritshmëria jonë është që në 28 qershor të kemi një ‘Po’ që lejon fillimin e punës parapërgatitore”, – tha Balla. /j.p/





















