Basha: Gjermania ka vendosur që të mos hapen negociatat me Shqipërinë

TIRANË, 21 qershor/ATSH/ – Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha duke folur në seancën e parlamentit është shprehur se mazhoranca gjermane ka vendosur që jo vetëm të mos hapen negociatat për Shqipërinë, por të vendoset edhe një proces kontrolli për Shqipërinë.

Basha u shpreh se vendimi gjerman është marrë mbrëmjen e djeshme dhe Edi Rama është informuar për këtë gjë.

“Kjo mazhorancë dhe qeveri e zhytur dhe e lidhur me krimin po mundohet të japë përshtypjen se gjërat po shkojnë normalisht. Edi Rama është informuar mbrëmë sikurse jam informuar dhe unë për një ngjarje të hidhur dhe me pasoja të tmerrshme për fatin e negociatave, për fatin e integrimit europian të Shqipërisë. Ai ka ardhur këtu të fshehë të vërtetën përmes mediave të kapura”, – tha Basha.

“Mbrëmë, vetëm pas takimit Merkel-Makron, kristiandemokratët dhe socialdemokratët gjermanë kanë rakorduar qëndrimin e tyre për hapjen apo jo të negociatave me Shqipërinë”, – tha Basha.

“Ashtu si Rama e di mirë, lajmi nga ky rakordim është më i keqi që shqiptarët mund të prisnin. Është një lajm që Shqipëria nuk e meriton, por është verdikti gjerman tashmë jo vetëm i Gunther Krichbaum, as thjesht i kristiandemokratëve, por i qeverisë gjermane, se Edi Rama ka gënjyer. Se Edi Rama nuk i ka bërë detyrat, se Shqipëria nuk i ka plotësuar kushtet për hapjen e negociatave. Në këtë rezolutë që do të bëhet zyrtare javën e ardhshme të martën, për herë të parë Shqipërisë nuk i vendosen thjesht kushte, por edhe një proces kontrolli që demonstron pabesueshmërinë totale ndaj çdo raportimi që është bërë deri më sot nga Edi Rama, apo nga hallka institucionale e blerë prej tij”, – tha Basha.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.