Ballina Lajme nga Vendi

Përfiton KEMP-in, pas ankesës në portalin e bashkëqeverisjes

TIRANË, 20 qershor/ATSH/.- “Besimi tek platforma shqiperiaqeduam.al është një betejë që ne do ta fitojmë”, kështu deklaroi sot kryeministri Edi Rama në një takim me koordinatorët e bashkëqeverisjes.

Kryeministri Rama solli rastin e qytetares Luljeta Qejvani, e cila në muajin qershor iu adresua platformës së bashkëqeverisjes, pasi prej vitit 2016 ishte deklaruar nga Komisioni i Caktimit të Aftësisë për Punë, invalide e plotë.

Për këtë, ajo iu drejtua, me një kërkesë organeve të sigurimeve shoqërore Tiranë, por kërkesa iu refuzua sepse ajo nuk plotësonte kushtin ligjor të vendosur nga ligji për sigurimet shoqërore, i cili kërkon 12 muaj sigurim në pesë vitet e fundit para lindjes së të drejtës.

Por, pas ardhjes së ankesës në platformën e bashkëqeverisjes, zyra e bashkëqeverisjes në ndërveprim me Institutin e Sigurimeve Shoqërore i cili rivlerësoi dosjen e zonjës Qejvani , rezultoi se ajo e plotësonte kushtin ligjor të vendosur nga ligji dhe aktualisht Luljeta Qejvani e përfiton që prej kohës që asaj i ka lindur e drejta, pra që prej vitit 2016.

Luljeta Qejvani, tha se “kam dy vjet e gjysmë, që jam e sëmurë dhe jam e operuar nga shtylla kurrizore. Pasi KEMP-i më dha të drejtën për paaftësi, sigurimet shoqërore pretendonin për 15 ditë mungesë. Kam 2 vjet e gjysëm që ju dëgjoj në televizor dhe mora nismën që ta provoj edhe unë platformën edhe jam shumë e lumtur dhe më duket e pabesueshme që mori zgjidhje problemi im, pasi edhe unë kaq e re nuk doja të mbetesha invalide”.

Kryeministri Rama e cilësoi rastin e Qejvanit, një rast që vlen për t’i treguar shumë të tjerëve, një aspekt shumë të rëndësishëm të platformës  për ndihmën që jep ndaj atyre që janë pjesa më vulnerabël e shoqërisë dhe shpesh herë e shumë herë janë ndier të nëpërkëmbur në zyrat e shtetit gjatë këtyre viteve dhe jo pa të drejtë kanë krijuar idenë se për ta nuk ka mundësi të ketë drejtësi.

Rama tha se ajo çfarë tregoi Luljeta është çka mendojnë shumë njerëz që dëgjojnë fjalët e mia për platformën, nuk besojnë e vazhdojnë presin apo mundohen ta gjejnë zgjidhjen në ato rrugë të ditura e të vjetra, që janë rrugë shkurt, por që shumë herë të nxjerrin shumë gjatë.

“Kjo është një betejë me një bindje të thellë të krijuar për dekada, që çfarë thuhet në televizor është propagandë dhe ajo në jetën reale është gjë tjetër”, u shpreh Rama. /k.s/j.p/

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakShërbim shëndetësor edhe jashtë orarit zyrtar, ankesa e qytetarit nga Mirdita që u kthye në nismë
Artikulli tjetërEuro rimerr “pozitat”, këmbehet me afërsisht 126 lekë