BRUKSEL – Stoltenberg: Optimist për unitetin e NATO-s në samitin e korrikut

BRUKSEL, 20 qershor /ATSH-AFP/ – Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, norvegjezi Jens Stoltenberg u shpreh optimist për kapacitetin e drejtuesve të vendeve të Aleancës për të treguar unitetin e tyre pavarësisht mosmarrëveshjeve, gjatë samitit më 11 dhe 12 korrik në Bruksel.

“Jam optimist për kapacitetin e Europës dhe SHBA-së për të qëndruar të bashkuar gjatë samitit pavarësisht mosmarrëveshjeve të mëdha dhe të tregojnë rëndësinë e lidhjeve transatlantike”, theksoi ai në një intervistë për stacionin televiziv francez “France 24”.

Stoltenberg e ka shprehur këtë optimizëm disa herë që prej takimit të ministrave të Mbrojtjes së Aleancës më 6 qershor në Bruksel. Ai pranoi se ekzistojnë mosmarrëveshje të mëdha mes SHBA-së dhe aleatëve të tyre europianë dhe kanadezë brenda NATO-s mbi tregtinë dhe marrëveshjen për programin bërthamor me Iranin, dënuar nga presidenti amerikan,  Donald Trump.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s ritheksoi se kishte pritur garanci nga presidenti amerikan për angazhimin e tij ndaj Aleancës.

“Samiti i NATO-s mund të jetë rasti për fillimin e negociatave për një anëtarësim të Maqedonisë së Veriut, në sajë të marrëveshjes së arritur me Greqinë për emrin e ri të ish-Republikës Jugosllave”, theksoi Stoltenberg./ /ec/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.