PRISHTINË, 19 qershor/ATSH/.- Ministrja e Integrimit Europian, Dhurata Hoxha, në interpelancën e zhvilluar sot në Kuvend, rreth zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) për tremujorin e fundit 2017 dhe tremujorin e parë të vitit 2018, theksoi se procesi i integrimit europian është karakterizuar me një dinamikë progresive viteve të fundit.
“MSA ka hyrë në fuqi, duke krijuar nga një anë detyrimet kontraktuale ndërmjet Kosovës dhe BE-së dhe nga ana tjetër duke përfaqësuar themelet e anëtarësimit tonë në BE. Jemi në prag të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Kosova tani është pjesë e Programeve të BE-së në nivelin e barabartë me të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor”, nënvizoi Hoxha.
Ministrja Hoxha u shpreh se “BE-ja dhe Kosova kanë rënë dakord për asistencë zhvillimi për të përkrahur sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik dhe rritjen e mirëqenies qytetarëve në vlerë prej 645 milionë euro për periudhën 2014-2020”.
Sipas saj, kjo marrëveshje ndërkombëtare është më e rëndësishmja dhe më gjithëpërfshirësja që ka lidhur ndonjëherë Kosova dhe ka vendosur kornizën e marrëdhënieve tona me shtetet anëtare të BE-në dhe institucionet e saj.
“MSA mbulon të gjitha sferat e qeverisjes, në kuadër të 144 neneve, të ndarë në dhjetë tituj, si dhe në shtatë shtojca, pesë protokolle dhe një deklaratë të përbashkët”, theksoi Hoxha./k.s/




















