PRISHTINË, 18 qershor/ATSH/.- Sot në Deçan u zhvilluan homazhe me rastin e ndarjes nga jeta të Hilmi Haradinajt, babait të kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.
Të pranishëm në homazhe ishin shumë personalitete të njohura të politikës nga Kosova dhe rajoni, ndër ta edhe princi Leka II, kryetari i PD-së, Lulëzim Basha, ai i BDI-së, Ali Ahmeti e të tjerë.
Me këtë rast presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ndau dekoratën për 10- vjetorin e pavarësisë për të ndjerin Hilmi Haradinaj.
Ai tha se me vdekjen e Hilmi Haradinajt ne mbetëm pa një luftëtar dhe veteran të jashtëzakonshëm të lirisë të Kosovës.
“Ju humbët një bashkëshort, një baba dhe një gjysh të jashtëzakonshëm. Ne mbetëm pa një njeri me zemër të madhe. Ai nuk u dorëzua edhe përballë sfidave. Ai përballoi padrejtësitë e burgosjes së bijve të tij. Ishte njeri me vlera, burrë i Dukagjinit, i Kosovës dhe gjithë shqiptarisë”, tha ai.
Ndërsa, kryeministri Ramush Haradinaj, tha se me humbjen e të atit ndjejnë dhimbje të gjithë bashkëluftëtarët.
“Sot e kemi të vështirë familja, e kemi të vështirë bashkëluftëtarët. Por ajo që është me rëndësi është se njerëzit që besojnë në të drejtën e tyre krijojnë vlera të reja”, u shpreh ai.
Ndërsa kreu i PD-së, Lulzim Basha, tha se “sot vij për të ndarë respektin dhe dhimbjen e thellë me familjen Haradinaj. Por nuk vij të ndahem me Hilmi Haradinajn. Vij këtu me përgjegjësinë e madhe për ta çuar deri në fund amanetin e tij të qartë”, u shpreh Basha.
Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, u shpreh se “Hilmi Haradinaj do të jetë gjithmonë në historinë e popullit shqiptar, si një njeri fjalëpak dhe shumë i madh”./KosovaPress/k.s/























