Kamp refugjatësh në Shqipëri, Vlahutin: Tërësisht, një keqinterpretim

TIRANË, 18 Qershor/ATSH/ -Deklarata e kryeministrit bullgar Bojko Borisov dhënë në Tiranë për emigrantët është keqinterpretuar.

Ambasadorja e BE-së në Tiranë Romana Vlahutin e ka konsideruar si keq-interpretim deklaratën e kryeministrit bullgar Bojko Borisov gjatë një vizite në Tiranë, pas së cilës u shtuan zërat se ai dhe kryeministri Rama kishin rënë dakord për ngritjen në Shqipëri të një kampi refugjatësh që kanë vendosur të largohen nga konflikti në Lindjen e Mesme.

“Është tërësisht një keq-interpretim i asaj që ka thënë në atë konferencë për shtyp kryeministri bullgar. Unë kam qenë aty e pranishme dhe mund t’ju siguroj që është absolutisht një jo. Pra ideja është që ajo për të cilën është folur prej një kohe të gjatë është të pasurit e një qendre, e cila është një qendër studimore, ku kolegët mund të diskutojnë, të shohin fenomenin se çfarë po ndodh. Absolutisht nuk ka asnjë lloj ideje për të pasur një kamp të tillë”, tha Vlahutin.

Sipas Vlahutin, “ideja është që ka dy arsye sepse është diskutuar kjo lloj qendre. E para e punës sepse është mirë që të vendoset këtu sepse shteti shqiptar po bën një punë shumë të mirë kur bëhet fjalë për punën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe parandalimit të tij dhe nga ana tjetër Shqipëria ka një model të mirë të harmonisë fetare dhe kjo e bën një vend shumë të mirë për të pasur një qendër rajonale që e përsëris absolutisht që nuk ka të bëjë me të kthyerit”.

Në lidhje me hapjen e negociatave, Vlahutin tha se Shqipëria ka punuar, por kjo varet nga vendimi që do të marrin vendet anëtare dhe për këtë duhet pritur deri në fund të qershorit.

“Do ta shohim në datën 28 qershor atë çfarë do vendosin vendet e BE-së. Di të them që Shqipëria ka punuar fort, por kjo do të varet nga vendimi i 28 vendeve anëtare. Komisioni bëri atë që duhet të bënte, tha atë që duhet të thoshte, pra, dha rekomandimin e pakushtëzuar, pra, ajo që është e rëndësishme është që të vazhdohet të punohet dhe më pas do të shohim çfarë do të thuhet nga vendet e BE-së se nuk dua ta paragjykoj këtë gjë para kohe”, u shpreh ambasadorja Vlahutin. /gj.mima/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.