TIRANË, 16 qershor /ATSH/- Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Policia e Qarkullimit Rrugor informojnë se në vijim të ndërhyrjes emergjente për riparimin e shtresave asfaltike në aksin Tirane – Durrës në kuadër të projektit të mirëmbajtjes me performance të Bankës Botërore do të rinisë të hënën në oren 06:00 të mëngjesit fazën e tretë të punimeve në segmentin Maminas – Sukth në drejtimin Tiranë – Durrës.
ARRSH dhe Policia e Qarkullimit Rrugor kërkojnë mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e drejtuesve të mjeteve gjatë procesit të ndërhyrjes në këtë aks rrugor dhe respektimin në mënyrë rigoroze sinjalistikën provizore të vendosur dhe udhëzimet e policisë rrugore në terren.
Nga ana e Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe Policisë së Qarkullimit Rrugor është hartuar një plan operacional i ndërhyrjes dhe devijimit të trafikut për të shmangur bllokimin e qarkullimit dhe garantuar mbarëvajtjen e punës në terren.
Bllokimi/Devijimi i trafikut do të fillojë në orën 06:00 të ditës së hënë datë 18/06/2018.
Trafiku në drejtimin Tiranë-Durrës devijohet në kryqëzimin e Maminasit në drejtim të rrugës dytësore.
Automjetet që udhëtojnë nga Tirana në drejtim të Durrësit duhet të futen në nënkalimin e Maminasit ( Lalezit) të Autostradës dhe të vazhdojë në rrugën dytësore deri në kryqezimin e Sukthit dhe në vazhdim mund të dalin përsëri në autostradë ose të vazhdojnë në rrugën dytësore.
Ky devijim do të vazhdojë deri diten e enjte datë 21/06/2018
ARRSH këshillon gjithashtu që mjetet e transportit të rëndë që udhëtojne nga Fushë- Kruja në drejtim të Durrësit të kthehen në rrugën dytësore në Vorë duke përdorur nënkalimin e rrugës së re.
Pas përfundimit të ndërhyrjes në segmentin Maminas – Sukth do të fillojë ndërhyrja në segmentet e tjera për të cilat ARRSH dhe Policia e Qarkullimit Rrugor do të përditësojnë skemat e lëvizjes dhe informojnë opinionin publik. e.xh/ /a.g/
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.






















