Ballina Kosova

Veseli në Gjermani, fton diasporën të investojë në Kosovë

PRISHTINË, 13 qershor/ATSH/ – Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, u takua në Shtutgart të Gjermanisë me dhjetëra bashkatdhetarë, me të cilët bisedoi lidhur me veprimtarinë e tyre, lidhjet me vendlindjen dhe mundësitë e investimeve.

Kryeparlamentari Veseli tha se Kosova ka ndërmarrë hapa konkretë në lehtësimin dhe thjeshtësimin e procedurave të të bërit biznes në Kosovë, duke përmirësuar çdo ditë e më shumë klimën e biznesit.

“Kosova mirëpret bashkatdhetarët që të vijnë dhe investojnë në vendlindje, si një mundësi e mirë për zgjerimin e bizneseve të tyre, por edhe mbështetje për Kosovën dhe të rinjtë e saj, në këtë fazë të nevojshme për vende të reja të punës”, – theksoi Veseli.

Kreu i Kuvendit u shpreh se Kosova ka nevojë edhe për dijen dhe përvojën e njerëzve të saj, të shkolluar në universitetet perëndimore.

“Shteti i Kosovës do të jetë përherë krah jush, por ai gjithashtu ka nevojë edhe për krahun dhe dijen tuaj. Ju duhet të mendoni që ngadalë të shihni mundësinë e investimeve në biznese në Kosovë dhe të krijoni përfitime, por edhe të hapni mundësi të reja për bashkëqytetarët tuaj në Kosovë”, – theksoi Kryeparlamentari Veseli. /k.s//r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFillon nesër rikonstruksioni i aksit rrugor Fier-Levan, devijohet trafiku
Artikulli tjetërUASHINGTON – FED: SHBA-ja regjistron rritje ekonomike prej 2,8%