Ulje historike e papunësisë në Shqipëri

TIRANË, 11 qershor/ATSH/- Shqipëria shënoi ulje rekord të papunësisë në fund të 5-mujorit të parë të këtij viti, duke zbritur në nivelin 12.5%.

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj në një deklaratë për shtyp nga Kryeministria bëri të ditur se ky nivel shënon nivelin rekord të papunësisë në vend për të gjitha vitet e tranzicionit.

“Punësimi është rritur në drejtim pozitiv serioz prej gati 5% krahasuar me një vit më parë. Ulja e papunësisë zbriti në nivelin më të ulët historik në 12.5%, një rënie prej gati 1.7% me bazë vjetore”, – deklaroi Ahmetaj.

Kreu i financave publike dhe ekonomisë bëri të ditur se politikat tona fiskale vijojnë të mbështesin lehtësimin e sipërmarrjes dhe garantimin e rritjes së qëndrueshme që përmban punësim.

“Modeli i ri ekonomik, ajo që ne nisëm në 2013 po funksion. Kemi rritje ekonomike të shoqëruar me rritje punësimi, ulje të papunësisë , rritje të numrit të ndërmarrjeve dhe me rritje të fuqisë blerëse”, – u shpreh Ahmetaj.

Pjesëmarrja në punësim sipas ministrit është në fund të 5-mujorit në nivelin 59.2% dhe Shqipëria është po ashtu vendi me normën më të ulët të papunësisë te të rinjtë.

“Në 5-mujorin e vitit 2018 janë shpallur 26 543 vende të lira pune. Vetëm në muajin maj janë shpallur 8 442 vende të lira pune. Përmes Shërbimit Kombëtar të Punësimit janë realizuar 19 088 punësime, ndërsa për muajin maj u kryen 3 439 punësime me ndërmjetësim”, – tha Ahmetaj. /a.gjonaj/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.