Kosova së shpejti anëtare në Asamblenë e Frankofonisë

PRISHTINË, 11 qershor/ATSH/.- Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, priti sot në takim Sekretarin e Përgjithshëm të Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë, Jacques Krabal, më të cilin bisedoi për anëtarësimin e Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Frankofonisë, si dhe me zhvillimet aktuale në Kosovë.

Sekretari i AP të Frankofonisë, Krabal, tha se Kuvendi i Kosovës ka aplikuar për anëtarësim në këtë organizatë dhe dosja është e plotë. Ai bëri të ditur se vendimi pritet të merret së shpejti dhe Kosova pritet të jetë anëtare me të drejta të plota.

“Në hapësirën tonë frankofone objektiv është gjuha edhe kultura, por sfidë është edhe ekonomia, të cilës do t’i afrohemi bashkë. Sfidë e dytë është demokracia. E përgëzojmë Kosovën për mbrojtjen e Kushtetutës dhe komuniteteve. Kosova ka bërë punë të mrekullueshme në këto 10 vitet e fundit. Keni bërë punë të mirë në barazinë gjinore dhe duhet të promovoni këtë edhe në Asamble”, theksoi Krabal.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, tha se Asambleja Parlamentare e Frankofonisë është një ndër organizatat më mëdha ndërkombëtare dhe shprehu besimin se Kosova shumë shpejt, gjatë muajit të ardhshëm do të jetë anëtare me të drejta të plota.

Veseli e konsideroi shumë të rëndësishëm për Kosovën faktin se ajo tashmë po ecën suksesshëm me anëtarësimin në organizata të ndryshme ndërkombëtare.

“Ky është lajm i jashtëzakonshëm. E rëndësishme është se ne po marrim përkrahje të vazhdueshme. Franca po e përkrah Kosovën drejt integrimit europian. E falënderoj sekretarin Krabal për përkrahjen. Me mbështetjen e këtyre njerëzve po arrijmë të anëtarësohemi në organizata ndërkombëtare. Do të jemi bashkë në të gjitha proceset”, theksoi kryeparlamentari Veseli./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.