Nikolla: Në Maturën Shtetërore ka 5 vjet që nuk kopjohet

TIRANË, 11 qershor/ATSH/- Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla mohoi çdo aludim për kopje dhe dalje testi të Maturës Shtetërore, të cilat ajo i konsideroi të stisura politikisht.

Gjatë turit të llogaridhënies në Tropojë, Nikolla kërkoi nga prindërit shqiptarë që të vërtetën ta kërkojnë dhe gjejnë tek fëmijët e tyre që janë pjesë e këtij procesi me rëndësi për të ardhmen dhe mos të dëgjojnë opozitën që ka si refren “babalizimin” e çështjeve.

“Doja t’ju sqaroja të gjithëve ju prindërve shqiptarë që rrethoheni me shumë të pavërteta. Është një dëshirë vrastare do ta quaja unë për të përfituar dhe marrë politikisht zemërata të prindërve dhe maturantëve shqiptarë duke stisur materiale të pavërteta. Ndaj doja t’ju thoja që nuk ka asgjë të vërtetë qoftë me fotografitë që u shfaqën në statusin e një deputeti. Mjafton që ju të pyesni fëmijët tuaj. Nuk është testi i Maturës Shtetërore, thjesht vizualisht, testi i Maturës Shtetërore është i lidhur në një tjetër formë, ajo është një gjë e sajuar, por kjo historia e ‘babalizimit’ të opozitës është kthyer në modë.”

Ministrja siguroi maturantët dhe prindërit e tyre se koha kur kopja dilte dhe shitej nga institucionet shtetërore ka marrë fund para 5 viteve ashtu siç ka perënduar edhe koha kur ministri, në varësi të provimit, vendoste kufirin e kalimit për nxënësit sipas dëshirës.

“Koha kur kopja dilte nga zyrat e Ministrisë së Arsimit apo nga zyrat e Agjencisë Kombëtare të Provimit ka ikur. Fatkeqësisht shoh sot ekraneve të televizionit pikërisht ata njerëz që ishin kthyer në mjeshtra të shitjes së kopjes pa filluar shpërndarja e tezave të provimit. Dhe e dyta, ka 5 vite që nuk ndodh më ajo që ndodhte më parë”.

Gjatë këtij takimi me qytetarët e Tropojës, ministrja Lindita Nikolla u ndal edhe tek reformat e ndërmarra për mësuesit, klasat kolektive dhe mësuesit ndihmës në sistem, të cilat po vijojnë gjatë 2018 e në vazhdim. /z.tosku//j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.