PRISHTINË, 11 qershor/ATSH/- Himni Shtetëror i Republikës së Kosovës mbush sot një dekadë nga miratimi në Kuvendin e shtetit të ri, që kishte shpallur pavarësinë më 17 shkurt 2008.
Propozimi me titullin “Europa” u miratua më 11 qershor 2008 në një seancë të veçantë të Kuvendit me 120 anëtarë si Himn Shtetëror, me 72 vota pro, 15 kundër dhe 5 abstenime.
Kompozitori Mendi Mengjiqi është autor i melodisë pa tekst, e përzgjedhur mes 134 propozimeve të paraqitura në konkursin publik për Himnin.
Komisioni për Simbolet Shtetërore të Kosovës kishte dërguar në Kuvend tre propozime, ndërsa Kryesia e Kuvendit dhe shefat e grupeve parlamentare nxorën në votim vetëm propozimin e parë – melodinë me titullin “Europa”.
Në seancë plenare, deputetët u ngritën në këmbë për të nderuar Himnin e Republikës së Kosovës, të transmetuar në sallën e Kuvendit.
Në prag të 15 qershorit 2008, ditës së hyrjes në fuqi të Kushtetutës, shteti i ri i Kosovës me Himnin i plotësoi simbolet shtetërore, pasi Kuvendi kishte miratuar edhe Flamurin e Stemën në Ditën e Shpalljes së Pavarësisë.
Himni Shtetëror i Republikës së Kosovës kishte një konkurrencë të madhe, nga 134 propozimet 110 ishin nga Kosova, ndërsa 24 nga shtetet e tjera të botës: 7 nga Franca, 5 nga Shqipërisë, 2 nga Gjermania, Suedia e Sllovenia, 1 nga SHBA-ja, Britania e Madhe, Holanda, Rusia, Zelanda e Re dhe Kroacia.
Autori i Himnit, kompozitori Mengjiqi menjëherë pas miratimit të melodisë tha se pret që me kohë ajo të bëhet edhe me tekst. /KosovaPress/k.s/























