Ndërhyrja për riparimin e autostradës përfundon brenda qershorit

Bashkë me drejtorin e ARRSH në segmentin Qafë Kashar – Vorë ku po realizohet ndërhyrja emergjente për riparimin e shtresave të dëmtuara asfaltike. Kompanitë e mirëmbajtjes do të punojnë edhe gjatë orëve të natës për të përfunduar sa më shpejt ndërhyrjen

Posted by Damian Gjiknuri – Faqja Zyrtare on 11.06.2018

TIRANE, 11 qershor/ATSH/ – Brenda qershorit do të përfundojë ndërhyrja emergjente për rehabilitimin e autostradës Tiranë-Durrës.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri i shoqëruar edhe nga kreu i Autoritet Rrugor, Afrim Qendro inspektuan punimet në segmentin Qafë-Kashar – Vorë ku po realizohet ndërhyrja emergjente për riparimin e shtresave të dëmtuara të asfaltit.

Gjiknuri bëri të ditur se kompanitë e mirëmbajtjes do të punojnë edhe gjatë orëve të natës për të përfunduar sa më shpejt ndërhyrjen në të gjithë elementët e sigurisë rrugore.

Rruga Tiranë-Durrës e ndërtuar rreth 20 vite më parë, sipas ministrit Gjiknuri nuk i është nënshtruar asnjëherë mirëmbajtjes së duhur.

Ndërhyrja emergjente synon përmirësimin e rrugës për të përballuar fluksin dhe eleminuar problematikat e shfaqura për periudhën e sezonit verior.

“Jemi duke planifikuar ndërhyrjen e plotë të aksit rrugor. Në të gjithë Shqipërinë po kryhen ndërhyrje serioze në akset rrugore për sa i përket mirëmbajtjes, ndërhyrje të cilat do të eleminojnë ato probleme të mbartura ndër vite”, – tha Gjiknuri.

Ministri Gjiknuri shpjegoi edhe arsyen se pse Banka Botërore nuk e financoi rehabilitimin e plotë të autostradës.

Sipas tij, projekti i Bankës Botërore është për mirëmbajtjen e akseve rrugore, ndërsa autostrada Tiranë-Durrës është e shkatërruar.

Ndërsa kreu i ARRSH-së, duke kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve për shkak të problematikave që do të krijohen në qarkullimin e mjeteve gjatë periudhës së ndërhyrjes në autostradë, siguroi se punimet do të përfundojnë brenda muajit qershor. /a.gjonaj//j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.