TIRANË, 5 qershor/ATSH/-Mbjellja e mbi 120 mijë pemëve, nisma për reduktimin e qeseve plastike dhe shtimi i korsive të biçikletave e kanë kthyer Tiranën në një qytet miqësor me mjedisin.
Ardhja e biçikletave të para Mobike do të sjellë një revolucion në mënyrën se si do të lëvizim në Tiranë, duke qenë se përdorimi sa më shumë i tyre do të ndikojë drejtpërdrejtë në uljen e ndotjes në kryeqytet.
Të gjitha këto janë lajme të mira që vijnë në ditën Botërore të Mjedisit. Ndërkohë, sot, disa të rinj, të shpërndarë në pika të ndryshme të Tiranës, zgjodhën një mënyrë origjinale për të falënderuar qytetarët që kishin zgjedhur biçikletën si mjet lëvizës, duke iu dhuruar atyre, në shenjë mirënjohje, llamba LED miqësore me mjedisin e që kursejnë energji, si dhe nga një çantë bezeje për të zëvendësuar qeset plastike.
Nismës iu bashkua edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili tha se mënyra më e mirë për të festuar ditën Botërore të Mjedisit është të japësh një kontribut konkret në mbrojtje të ambientit. “Më vjen mirë që, për herë të parë, nuk po kritikojmë, por po shpërblejmë ata që janë sjellë mirë me mjedisin”, theksoi ai.
Veliaj vlerësoi vendimin e marrë nga qeveria shqiptare për të ndaluar përdorimin e qeseve plastike, të cilat do të ulin ndjeshëm ndotjen. Ai shprehu bindjen se ka ardhur koha që Tirana dhe Shqipëria të jenë pararendëse në ndalimin e qeseve plastike.
Ndërkohë, pas revolucionit të gjelbër me mbjelljen e mbi 120 mijë pemëve, Tirana është qyteti i parë në Ballkan që ka sjellë sistemin e biçikletave pa stacion “Smart Bike Sharing”, një mënyrë ekologjike dhe inovative për të lëvizur në qytet.
Ai falenderoi të gjithë ata qytetarë të cilët i janë bashkuar nismave të ndërmarra nga Bashkia e Tiranës, si mbjellja e pemëve apo marrja e automjeteve elektrike, duke ndikuar pozitivisht në një mjedis më të shëndetshëm. Ai tha se është vetëm çështje kohe që nismat e ndërmarra nga Bashkia e Tiranës të ndiqen edhe nga qytetet e tjera të Shqipërisë. /z.tosku/ j.p/


























