Kosova e hapur për projekte konkrete për ruajtjen e ambientit

PRISHTINË, 31 Maj/ATSH/.- “Provinca Autonome e Trentos që nga viti 1999 e ka ndihmuar Kosovën në shumë fusha, fillimisht si ndihmë humanitare për të vazhduar edhe me projekte konkrete dhe tani është koha që këtë marrëdhënie ta çojmë përpara”, theksoi sot kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj.

Gjatë takimit me delegacionin nga Provinca Autonome e Trentos të Italisë, të kryesuar nga Sara Ferrari, ministre e Provincës për Universitetin dhe Kërkime, për Politikat e Rinisë, Çështjet e Gjinisë, dhe Bashkëpunimit Zhvillimor, Haradinaj e njohu delegacionin italian për progresin e Kosovës në shumë fusha, duke përfshirë fuqizimin e vazhdueshëm të shtetësisë dhe të subjektivitetit ndërkombëtar.

Kryeministri Haradinaj vlerësoi rolin e madh të Italisë, konkretisht të Provincës Autonome të Trentos, për ta ndihmuar vendin dhe se tani ky bashkëpunim duhet të vazhdojë duke u përqendruar veçmas në projekte që i dedikohen mjedisit, fushës kulturore, arsimore dhe agrikulturës.

“Kosova është vend mik i Italisë, një vend që ka shumë të rinj, me shpirt sipërmarrës dhe të gatshëm për të bashkëpunuar. Investimet direkte nga Provinca Autonome e Trentos janë të mirëpritura, veçanërisht kur ato janë të përqendruara në fushën e mjedisit dhe ruajtjes së ambientit”, tha Haradinaj duke shtuar se qeveria e vendit është e hapur për bashkëpunime bilaterale.

Sara Ferrari, ministre e Provincës për Universitetin dhe Kërkime, për Politikat e Rinisë, Çështjet e Gjinisë, dhe Bashkëpunimit Zhvillimor, pasi falënderoi kryeministrin Haradinaj për pritjen, vlerësoi arritjet në Kosovë, duke shprehur përkushtimin e vendit të saj për mundësinë e bashkëpunimit në të ardhmen në fushat e identifikuara në interes të ndërsjellë.

Provinca Autonome e Trentos nga viti 1999 ka dhënë kontributin e saj për autoritetet lokale në Kosovë, shoqërinë civile dhe ka realizuar projekte të ndryshme me Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Zyrën për Qeverisje të Mirë në Zyrën e Kryeministrit./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.