221 leje ndërtimi në tremujorin e parë

TIRANË, 29 maj/ATSH/- Lejet për ndërtimin e banesave zunë pjesën më të madhe të lejeve të dhëna gjithsej gjatë tremujorit të parë të këtij viti.

Referuar raportit të Institutit të Statistikave (INSTAT), gjatë periudhës janar-mars 2018, janë miratuar gjithsej 221 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 211 leje të miratuara për të njëjtën periudhë të vitit 2017.

Nga këto 221 leje ndërtimi të reja, 127 të tilla u dhanë për ndërtim banesash bëhet e ditur nga raporti i INSTAT-it.

Sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa të reja është mbi 200 mijë m2, nga rreth 92 mijë m2 miratuar në tremujorin e parë 2017. Ky tregues, në tremujorin e parë 2018, krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë, shënoi rritje me 118.7%

Vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike, në tremujorin e parë 2018, është 10.2 miliardë lekë, nga 11.1 miliardë lekë miratuar në tremujorin e parë 2017. Ky tregues, në tremujorin e parë 2018, krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë, u ul me 7.6%

Në totalin e numrit të lejeve të dhëna për ndërtesa pa i specifikuar atë Tirana kryesoi për numrin më të madh por edhe sipërfaqen më të madhe të lejeve të miratuara.

Referuar të dhënave në Tiranë u dhanë 65 leje gjithsej 3 muajve të parë të vitit për një sipërfaqe prej 103 mijë m2.
/a.gjonaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.