Ballina Bota

FUTBOLL – Ronaldo dhe Bale largohen nga Reali?

KIEV, 27 maj /ATSH-AA/ – Në vazhdën e kremtimit të titullit të ri të Ligës së Kampionëve, tifozët e Real Madridit u kapën në befasi nga deklaratat e dy lojtarëve më të mirë të klubit, Cristiano Ronaldo dhe Gareth Bale, të cilët njoftuan për një largim të mundshëm nga “Santiago Bernabeu”.

Gjashtë herë radhazi golashënuesi më i mirë i Ligës së Kampionëve, Ronaldo, pak orë pas triumfit në garën më prestigjioze të klubeve evropiane, deklaroi se nuk ishte i sigurtë se do të mbetej në këtë klub.

“Në ditët në vijim, do t’u jap tifozëve përgjigjen për këtë pyetje, sepse ata ishin gjatë gjithë kohës me mua. Ishte e mrekullueshme të ishte në Madrid”, tha Ronaldo.

Ai shtoi se nuk është me rëndësi e ardhmja e secilit nga lojtarët, pasi siç tha, klubi ka shkruar histori.

Futbollisti nga Uellsi, Gareth Bale, ishte lojtari vendimtar i ndeshjes së mbrëmshme kundër Liverpoolit, pasi me një gol spektakolar kaloi Realin në avantazh 2:1, por pavarësisht kësaj, për një kohë të gjatë ka qenë i pakënaqur nga statusi që ka patur në këtë ekip.

Ndryshe nga deklaratat e lojtarëve të lartpërmendur, trajneri i Real Madridit, Zinedin Zidan, është i bindur se Ronaldo dhe Bale do të luajnë sërish me këtë ekip.

“Ronaldo do të qëndrojë te Reali i Madridit. Me siguri pas tre apo katër ditësh do të dalë me një deklaratë tjetër”, tha Zidane, duke shtuar se i kupton edhe pakënaqësitë e Bale nga shkaku i qëndrimit të shpeshtë në stol./ a.jor.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBalla: Opozita të mbajë përgjegjësi për dëmin ndaj imazhit të vendit
Artikulli tjetërSOFT NEWS – Joshja më e fundit për arinjtë? Me… proshutë!