SOFT NEWS – Joshja më e fundit për arinjtë? Me… proshutë!

UASHINGTON, 27 maj /ATSH-AFP/ – Së shpejti do të jetë e mundur për gjuetarët në Alaska të tërheqin arinjtë me proshutë në zonat e mbrojtura pasi administrata Trump kërkon të rishikojë rregullat e miratuara nën administratën e Barack Obamas.

“National Park Service” (NPS) ka prezantuar një projektrregullore që anulon masat e marra në vitin 2015.

NPS ndalonte në atë kohë disa praktika, të denoncuara nga shoqatat për mbrojtjen e kafshëve, në zonat federale të mbrojtura të Alaskës.

Këto praktika, të autorizuara sërish nga administrata republikane, përfshinin veçanërisht përdorimin e qenve për të gjuajtur arinjtë e zinj dhe përdorimin e llampave për të ndjekur këto kafshë dhe këlyshët e tyre.

Tërheqja ishte gjithashtu e ndaluar në gjuetinë e arinjve të zinj dhe të murrmë.

“Proshuta, dhjami i mishit dhe donuts janë përdorur shpesh si tërheqje”, shprehej në atë kohë NPS, që varej nga Ministria e Brendshme.

“NPS-ja njftoi sot një propozim për të ndryshuar rregullat përsa i përket gjuetisë dhe kapjes së kafshëve në zonat e mbrojtura të Alaskës”, sipas komunikatës.

“Ky propozim i jep fund rregullave të propozuara në 2015 që ndalojnë disa praktika”, theksoi i njëjti burim duke shtuar se NPS kërkon të harmonizojë rregullat federale me ligjet në fuqi për gjuetinë në Alaska.

Ky rregull, i publikuar në Fletoren Zyrtare amerikane (Federal Register) do të miratohet përfundimisht dy muajt e ardhshëm./ /ec/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.