Përfshirje e personave me aftësi të kufizuara në proceset vendimmarrëse

TIRANË, 25 Maj/ATSH/ – Shqipëria duhet të rrisë mbrojtjen e fëmijëve dhe përfshirjen e personave me aftësi të kufizuara.

Komisionerja e Këshillit të Europës për të Drejtat e Njeriut, Dunja Mijatović, përfundoi sot vizitën e saj pesë-ditore në Shqipëri, e cila u përqendrua në të drejtat e fëmijëve, të drejtat e personave me aftësi të kufizuara dhe aksesin në ndihmë juridike falas.

Lidhur me të drejtat e fëmijëve, Komisionerja përshëndeti angazhimin e autoriteteve për të siguruar mbrojtje më të mirë të fëmijëve përmes legjislacionit që përmban të drejtat e nevojshme të njeriut dhe masat kundër diskriminimit, përfshirë ligjin e 2017 për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve. Ajo thekson nevojën për një zbatim më efektiv të legjislacionit ekzistues dhe një bashkëpunim më të mirë ndërmjet niveleve të ndryshme të autoriteteve përgjegjëse.

Përsa i përket dhunës ndaj fëmijëve, në veçanti dhunës në shkolla, një numër masash janë planifikuar ose po planifikohen nga autoritetet për të trajtuar këtë çështje.

“Jam e kënaqur që ekziston një konsensus i gjerë i të gjithë aktorëve, se dhuna ndaj fëmijëve është e papranueshme. Megjithatë, rritja e vazhdueshme e ndërgjegjësimit është e nevojshme për të ndryshuar qëndrimet shoqërore se dhuna ndaj fëmijëve si një mënyrë për disiplinimin e tyre është e papranueshme”, tha ajo.

Komisionerja gjithashtu i inkurajon autoritetet që të vazhdojnë të trajtojnë, bullizmin dhe dhunën midis bashkëmoshatarëve, të cilat duket se janë të përhapura në shkolla.

Duke vënë në dukje se legjislacioni shqiptar parashikon përfshirjen e të gjithë fëmijëve në arsimin e zakonshëm pa diskriminim në asnjë fushë, Komisionerja u bën thirrje autoriteteve të mbështesin përpjekjet e tyre në zbatimin e legjislacionit përkatës me qëllim që të sigurojnë që të gjithë fëmijët, veçanërisht fëmijët romë dhe egjiptianë fëmijët me aftësi të kufizuara, përfshihen në shkollat e zakonshme.

Komisionerja thekson rolin e rëndësishëm të mësuesve ndihmës në këtë drejtim dhe mirëpret angazhimin e autoriteteve për rritjen e numrit të mësuesve të tillë, që aktualisht qëndrojnë në 620, në mënyrë që të gjithë fëmijët me aftësi të kufizuara të kenë mbështetje adekuate për përfshirje.

Gjatë vizitës së saj në shkollën speciale për fëmijët me aftësi të kufizuara “3 Qershori”, Komisionerja u informua se katër fëmijë të asaj shkolle janë përfshirë me sukses në arsimin e zakonshëm gjatë këtij viti shkollor. Kjo tregon se përfshirja mund të funksionojë në praktikë kur ka vullnet, përkushtim profesional dhe mbështetje adekuate. Në kopshtin “Guerrilla” në Shkodër, të cilin Komisionerja e vizitoi gjithashtu, pa se si puna e përbashkët e prindërve nga komuniteti rom dhe më gjerë, si dhe përkushtimi i profesionistëve të arsimit, të mbështetura nga mbështetja e bashkësisë lokale, rezultuan në integrimin e suksesshëm të fëmijëve rom në arsim.

Pas vizitës së saj në institucionin shtetëror për përkujdesje sociale “Shtëpia e Fëmijës”, në Shkodër, ku fëmijët janë vendosur kryesisht për shkak të varfërisë së prindërve të tyre, Komisionerja inkurajon autoritetet që të lëvizin drejt deinstitucionalizimit të plotë të fëmijëve nga kujdesi shtetëror, duke siguruar që asnjë fëmijë të mos mbetet pa mbrojtje dhe kujdes adekuat dhe që interesi më i mirë i fëmijës gjithmonë të merret në konsideratë në mënyrë adekuate. Komisionerja gjithashtu kujton se fëmijët nuk mund të largohen nga kujdestaria e prindërve të tyre vetëm për shkak të kushteve socio-ekonomike të familjes. Autoritetet duhet, përkundrazi, të sigurojnë mbështetje adekuate për familjet.

Sa i përket të drejtave të personave me aftësi të kufizuara, duke pranuar progresin e bërë në këtë fushë, Komisionerja u bën thirrje autoriteteve të caktojnë një afat kohor për mundësinë e aksesit në ndërtesat publike, veçanërisht shkollat, dhe për të siguruar që rregullat kërkesat e aksesit për ndërtimin e ndërtesave të reja gjithmonë të respektohen.

Komisionerja gjithashtu thekson rëndësinë e përfshirjes së personave me aftësi të kufizuara në të gjitha proceset vendimmarrëse që i prekin ato. Përveç kësaj, ajo vuri në dukje me interes që Këshilli Kombëtar i Aftësisë së Kufizuar, një organ këshillues i qeverisë, i cili përfshin personat me aftësi të kufizuara dhe shoqatat e tyre, është bërë funksionale.

Komisionerja vërejti se deinstitucionalizimi i personave me aftësi të kufizuara nuk ka përparuar. “Personat me aftësi të kufizuara duhet të gëzojnë plotësisht të drejtat e tyre për të jetuar në mënyrë të pavarur dhe të përfshihen në komunitet. Autoritetet duhet të zhvillojnë dhe zbatojnë një plan udhëzues për deinstitucionalizimin dhe ofrojnë shërbime të bazuara në komunitet, në vend që të vazhdojnë të përdorin institucionet rezidenciale. Megjithatë, ky proces duhet të jetë i planifikuar me kujdes, në mënyrë që të shmanget që çdo person me aftësi të kufizuara të mbetet pa mbështetjen e nevojshme për jetesë të pavarur pas largimit të tyre nga një institucion. Autoritetet gjithashtu duhet të ndryshojnë legjislacionin në mënyrë që të ndalojnë privimin e personave me aftësi të kufizuara nga aftësia e tyre ligjore, duke filluar me heqjen e menjëhershme të kujdestarisë plenare, në mënyrë që të sigurojnë se ata gëzojnë aftësi ligjore në baza të barabarta me të tjerët në të gjitha aspektet e jetës “, tha ajo.

Duke theksuar rëndësinë e qasjes në ndihmë juridike falas për fëmijët dhe personat me aftësi të kufizuara, Komisionerja gjithashtu përshëndeti miratimin në vitin 2017 të Ligjit të ri mbi Ndihmën Ligjore Falas, i cili zgjeron fushën e përfituesve të ndihmës juridike dhe bën thirrje për zbatimin e menjëhershëm dhe efektiv.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.