Ballina Aktualitet

Protesta e vetmja zgjidhje

TIRANË, 24 Maj/ATSH/ -Në datën 26 maj shqiptarët duhet të jenë në bulevard për t’i thënë Ramës që shqiptarët janë kundër politikës së drogës.

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi jashtë sallës së Kuvendit u shpreh për mediat se, “çdo ditë dhe më shumë nuk ka më shpresë për të pasur besimin se kjo mazhorancë e kapur mund të ndryshojë. Kjo mazhorancë ka frikë jo vetëm nga fjala e lirë, por ka frikë nga çdo gjë që dëshirojnë qytetarët”.

“Dita e sotme tregoi edhe njëherë se nuk ka të ardhme me këtë grup kriminal që kanë uzurpuar dhe rrëmbyer institucionet e shtetit, kanë uzurpuar parlamentin”, tha ajo.

“E vetmja zgjidhje është dalja në rrugë, përmbysja e çdo elementi kriminal dhe për të dalë për t’i thënë Edi Ramës se ti ke ngelur vetëm në përballjen me drejtësinë që do ta bëjnë shqiptarët. Atë drejtësi që ne si opozitarë dhe klasë politike e kemi votuar në 2016-n”, u shpreh Kryemadhi.

Kryemadhi theksoi se, “në datën 26 maj shqiptarët duhet të jenë në Bulevard. Ne mund të jemi organizatorët, mund të jemi iniciatorët, por ne tashmë jemi peng i qytetarëve dhe do të bëjmë atë çfarë kërkojnë qytetarët në protestë”.

/gj.mima/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMALI I ZI – Ministri i Mbrojtjes: Nuk do të ndërtohen baza të NATO-s
Artikulli tjetërBalla: Rekomandimi i KE për hapjen e negociatave, rikonfirmim i përparimit të bërë nga Shqipëria