PRISHTINË, 18 Maj/ATSH/.- Kosova është e hapur për investime të huaja direkte dhe se tregu është tejet i përshtatshëm për t’i pritur këto investime.
Kështu deklaroi sot në Forumin Ekonomik të Vjenës, që po mbahet në Sofje të Bullgarisë, Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.
Në fjalën e tij Haradinaj theksoi se “Kosova është një vend i vogël, me vetëm 2 milionë banorë dhe ne jemi ndër vendet e rralla që kemi shpenzuar paratë nga buxheti ynë për të realizuar projekte të mëdha infrastrukturore”.
“Tani është koha që të kemi investime të reja në shumë fusha, veçanërisht në miniera dhe telekom. Ne jemi të hapur për të gjithë investitorët dhe ky forum është mundësi e mirë”, nënvizoi Haradinaj.
Kryeministri Haradinaj paraqiti interesimin e Kosovës për projekte nga fusha të ndryshme si infrastrukturë, tregti, dixhitalizim etj.
“Aktualisht Kosova ka përfunduar 65 për qind të rrugës që lidh Prishtinën me Shkupin, kemi nisur rrugën që lidhë Prishtinën me periferinë dhe që e njëjta do të vazhdojë edhe drejt kufirit në Merdare, me Shqipërinë është përfunduar tashmë, derisa deri në vitin 2022 të gjitha rrugët dytësore dhe rajonale në vend do të kenë qasje në autostradat që lidhin Kosovën me Maqedoninë, Serbinë, Shqipërinë dhe Malin e Zi, ndërsa po punojmë për të nisur projektet hekurudhore që lidhin Kosovën me Serbinë”, bëri të ditur Haradinaj.
Haradinaj në fjalën tij theksoi se “vendet e Ballkanit duhet më shumë të flasin me njëri tjetrin, sesa të flasin për njëri tjetrin”.
Pjesë e Forumit Ekonomik të Vjenës, përveç Kosovës ishin shtetet si Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina dhe Serbia, derisa Forumi u mbajt nën kryesimin e Kryeministrit të Bullgarisë, Boyko Borissov, vendi i të cilit kryeson me Presidencën Europiane.
Kosova po përfaqësohet nga Kryeministri Ramush Haradinaj, ndërsa pjesë e delegacionit janë edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha dhe ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj./k.s/























