Ballina Aktualitet

Marrëveshja me Greqinë, e drejtë dhe e zbatueshme për të dyja palët

TIRANË, 7 Maj/ATSH/ – Marrëveshja me Greqinë ka rëndësi të jetë e drejtë dhe e zbatueshme për të dyja palët.

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati i pyetur sot për datat dhe afatet e negociatave me Greqinë theksoi se, “datat dhe afatet janë në thelb motivuese, e njëjta logjikë është e vlefshme dhe në raport me bisedimet që do të zhvillojmë me Greqinë, por nga ana tjetër me rastin në fjalë datat dhe afatet indikative nuk janë qëllim në vetvete”.

“Është e rëndësishme”, theksoi Bushati, “të kemi një proces të shëndetshëm dhe të shkojmë mundësisht drejt një marrëveshje të re e cila duhet të jetë marrëveshje më e drejtë dhe në fund të ditës e zbatueshme për të dyja palët dhe duhet të jetë një marrëveshje e cila duhet të hapë një kapitull të ri në marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë e Greqisë”.

“Sa i takon aktivitetit që do të organizojë pala greke në mbështetje të kandidaturës së Shqipërisë për të nisur bisedimet për anëtarësim e vlerësojmë këtë gjest mbështetjeje dhe bujar. Greqia është vendi që ka kontribuar për procesin e integrimit”, tha Bushati.

Raundi i parë i bisedimeve mes Shqipërisë dhe Greqisë për kufizimin e zonave detare, u zhvillua më 30 prill në Tiranë. Takimi u zhvillua në një klimë konstruktive dhe bashkëpunuese, thuhej në njoftimin e MEPJ. Ndërsa shumë shpejt pritet një raund u dytë takimi në Athinë.

/gj.mima/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakDua Lipa, mes tre artistëve më të dëgjuar në botë
Artikulli tjetërFondi i Abu Dhabit do të financojë deri në fund projektin e Bulevardit të Ri