TIRANË, 7 Maj/ATSH/ -Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri feston Javën e Europës 2018 me një rrugëtim përmes trashëgimisë kulturore dhe bukurive natyrore të Shqipërisë.
Nga e diela në të shtunë, në datat 6 deri më 13 maj, në të gjithë vendin do të festohet Java e Europës, në një rrugëtim që do të na çojë nga Shkodra në Korçë, nëpër më shumë sesa 12 vende.
Programi i pasur që është i hapur për publikun ofron ekspozita mbi rrënjët e thella evropiane të Shqipërisë, diskutime me qytetarët, konferenca mbi integrimin e Shqipërisë në BE dhe netët e kinemasë evropiane. Përgjatë gjithë javës, ne do të kremtojmë vitin 2018 si Viti Europian i Trashëgimisë Kulturore, duke shpërfaqur më të mirat që Shqipëria ka për të ofruar, me shëtitje me biçikletë, muzikë të luajtur drejtpërdrejt, instalacione artistike dhe, madje, edhe një panair ushqimor!
Në Ditën e Europës, e mërkurë, 9 maj, Delegacioni i BE-së dhe shtetet anëtare kanë përgatitur Fshatin e BE-së në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, me një sërë veprimtarish e stendash që paraqesin larminë e përfshirjes dhe mbështetjes së tyre për Shqipërinë.
Mbrëmjen e 9 majit, drejtuesja e Delegacionit të BE-së, Ambasadorja Vlahutin, i fton të gjithë të bashkohen me festimet e Ditës së Europës në sheshin “Skënderbej”, me një program muzikor që u kushtohet grave shqiptare.
Përgatitur nga Vikena Kamenica, ai do të përmbajë interpretime nga solistja Artemisa Mithi, sopranoja Renisa Laçka, solistja në violinë, Joana Kaimi dhe kori i vajzave të Universitetit të Arteve, nën dirigjimin e Suzana Turkut.
Pas evenimentit zyrtar, festimet do të vijojnë me një mbrëmje me pjesëmarrjen e këngëtarëve Marsela Çibukaj, Vitmar Basha dhe kuartetit “Peter Pan”, propozuar nga Bashkia e Tiranës.
/gj.mima/ /a.g/























