TIRANE, 2 Maj /ATSH/ – Arti dhe kultura po tërheqin çdo ditë e më shumë vëmendjen e qytetarëve dhe të rinjve, të cilët i vizitojnë ato për të kaluar disa orë ndryshe argëtimi. Tendenca e vizitave në institucionet kulturore çdo vit po njeh rritje po viti 2018 duket të ketë një sukses më të madh vetëm në tremujorin e parë.
Muzetë dhe parqet arkeologjike kanë regjistruar një shifër të lartë vizitorësh për tremujorin e parë të këtij viti në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Shifrat e kulturës të publikuara nga Instituti i Statistikave tregojnë se numri i vizitorëve në muze në 2018 është 24.477, duke shënuar rritje me 83.7 % krahasuar me tremujorin e parë 2017.
”Në kala dhe monumente të tjera numri i vizitorëve ka një rritje prej 39.4%, ndërmjet tremujorit të parë 2018 dhe të njëjtës periudhë 2017. Në tremujorin e parë 2018 numri i vizitorëve në parqe arkeologjike është 13.872, me një rritje 61.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm”, thuhet në raport.
Shqiptarët kanë qenë më aktiv në ndjekjen e e shfaqjeve në teatro duke çuar në rritjen e numrit të spektatorëve gjithashtu kjo ka ardhur dhe për shkak se jeta artistike sidomos në kryeqytet po gjallërohet më shumë me jetë kulturore për qytetarët.
”Numri i shfaqjeve kulturore në tremujorin e parë 2018 është 344 ,duke pësuar një rritje me 61.5% krahasuar me tremujorin e parë 2017.Në tremujorin e parë 2018 numri i spektatorëve është 74.848 duke pasur një rritje me 73.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar”, vlerëson INSTAT.
Pra pjesëmarrja mesatare sipas shifrave zyrtare për tremujorin e parë 2018 është 218 spektatorë për shfaqje dhe ka pësuar rritje me 7.4% krahasuar me tremujorin e parë 2017./a.a/ /a.g/























