Ballina Kosova

Haradinaj: Mbështetje projekteve të zhvillimit në Drenas

PRISHTINË, 1 maj/ATSH/.- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj,  vizitoi sot Parkun e Biznesit në Drenas, i shoqëruar edhe nga kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci.

Pas vizitës që bëri në parkun e biznesit ku pa nga afër punët dhe projektet konkrete që po  zhvillohen në këtë park, kryeministri Haradinaj vizitoi komunën e Drenasit.

Pas takimit me kryetarin e Komunës, kryeministri Haradinaj tha për mediat se u bisedua për të gjitha projektet e zhvillimit në Drenas dhe mundësinë e financimit të tyre, por edhe për çështjet që ndërlidhen edhe me pronën.

“Komuna e Drenasit ka projekte zhvillimore, por kërkon që një pjesë e pronave, që tani janë në pronësi të AKP-së ose mekanizmave të tjerë, t’i kthehen komunës, për shkak se në këtë mënyrë do të ishte në interes të zhvillimit”, theksoi Haradinaj, duke besuar se do të gjendet zgjidhja e duhur në bazë të ligjit.

Kryeministri takoi edhe sindikalistët e Ndërmarrjes Ferronikeli, të kryesuar nga kryetari Fehmi Nika, të cilët e informuan për gjendjen në këtë ndërmarrje.

“Konstatuam që Qeveria i ka borxh Ferronikelit një shumë të caktuar mjetesh financiare, është një rimbursim i TVSH-së, me të cilin lidhen edhe pagat për muajin mars dhe prill”, tha Haradinaj, duke shtuar se është me interes që Ferronikeli të vazhdojë të funksionojë, sepse këtu punojnë 820 punëtorë.

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, pasi garantoi kryeministrin Haradinaj që projektet që do të vijnë, do ta zhvillojnë këtë komunë, tha se “çdo investim që do të vijë nga qeveria, do të zhvillohet në mënyrën më të shpejt të mundshme”./k.s/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFustanet me temina, për të ndriçuar në pranverë
Artikulli tjetërFilmi horror “IT” vjen me serinë e dytë për fansat