Ballina Aktualitet

Rekomandimi pozitiv i KE, hap përpara për Shqipërinë

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10155767219791523/

 

TIRANE , 28 Prill/ATSH/- Vendimmarrja mbështetëse e vendeve anëtare të Bashkimit Europian gjatë muajit qershor për nisjen e bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë, nuk është thjeshtë një vendimmarrje mbështetëse për punën që kemi bërë, por do të përcaktojë se cila do të jetë situata në Shqipëri e rajon përtej dekadës në të cilën ne kemi hyrë.

Kështu deklaroi sot ministri i Jashtëm, Dimri Bushati gjatë punimeve të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste.

“Do të jetë ajo që do të përcaktojë aksesin e studentëve shqiptarë në programet e mobilititetit, kompetivitetin e studentëve shqiptarë dhe kërkuesve shqiptarë në hapësirën e kërkimit në Europë, ajo që do të përcaktojë aksesin dhe fondet në dispozicion të fermerëve shqiptarë për ta modernizuar më shumë e kthyer në një industri të vërtetë bujqësinë, do të jetë ajo që do të përcaktojë cilësinë e jetës demokratike në këtë vend, ajo që do të përcaktojë programet e bashkëpunimit rajonal e ndërkufitar që kanë filluar të zbatohen sidomos në zonat e bashkitë ndërkufitare në Shqipëri, do të jetë ajo që do të përcaktojë atë që quhet: Shqipëria e gjeneratës së ardhshme që në fakt përkon me moton e kësaj qeverie e kësaj partie”, deklaroi ministri Bushati.

Duke iu referuar qëndrimeve të PD e LSI, ministri tha se jo të gjithë ndanë të njëjtën ndjenjë gëzimi pas rekomandimit pozitiv të dhënë nga Komisioni Europian, edhe pse vuri në dukje e ai, e kemi thënë se çdo hap përpara nuk është çertifikatë për qeverinë por hap përpara për Shqipërinë.

Ministri iu përgjigj edhe akuzave të ndritura po prej opozitës apo disa analistëve se rekomandimi i KE lidhet me gjeopolitikën.

“Partia Socialiste e ka manifestuar që në fillim dhe e mori si zotim që ditën e parë që erdhi në pushtet ndryshimin rrënjësor të sistemit të drejtësisë. Shqipëria është i vetmi vend që ka kërkuar bashkë autorësinë për të ndërtuar sistemin e drejtësisë. Është vetë KE që e specifikon shumë qartë se atë që ka bërë Shqipëria në këtë fazë të procesit, nuk e ka bërë asnjë vend tjetër. Po ashtu është njohur puna e bërë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut si dhe puna në luftën kundër krimit e korrupsionit. Edhe për sa i përket bashkëpunimit me shërbimet e vendeve partnere në këtë pikë, Shqipëria ka diferencë me vendet anëtare”, theksoi Bushati.

Ministri po ashtu u shpreh se “është shumë e vërtet që ka një konsensus shqiptar për sa i përket integrimit të Shqipërisë, por është edhe po kaq e vërtetë se jemi e vetmja forcë politike që ka një platformë të qartë, qoftë për reformat në fushën e sigurisë, sundimit të së drejtës apo edhe ekonomisë”.

Ne shohim që PD e LSI, tha ministri, që në fakt janë kundër këtyre reformave.
‘Çdo kundërshtim që bën opozita në një mënyrë apo tjetër. e minon procesin e integrimit europian.

“Rruga jonë nuk do të jetë e lehtë, sepse dy janë elementët themelore që do të jenë kompasi orientues i veprimit tonë politik në këtë veprim. E para, për të mbajtur cilësinë e reformave e thelluar ato sepse siç e thashë ndoshta një ditë këto gjëra do të bëhen edhe publike, por ka qenë insistimi i kësaj qeverie e force politike për të shkuar në thellësi të disa prej reformave që kanë impakt të drejtpërdrejt jo për Brukselin, Berlinin apo Parisin, por për jetën e qytetarëve të këtij vendi”, deklaroi Bushati.
/a.gjonaj/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFUTBOLL – Mourinho: Nuk e shita unë Salahun, por ”Chelsea”
Artikulli tjetërBashkëqeverisja thelbi i mandatit tonë, shkarkime kush nuk bën detyrën