Ballina Lajme nga Vendi

Shqipëri-Greqi, memorandum bashkëpunimi në shëndetësi

TIRANË, 27 prill/ATSH/- Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu zhvilloi sot një vizitë zyrtare në Greqi, ku u prit nga homologu grek Andreas Ksanthos nga ku edhe u firmos memorandumi i bashkëpunimit në fushën e shëndetësisë mes dy vendeve.
Ministrja Manastirliu e cilësoi një hap drejt forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve, veçanërisht në fushën e shkëmbimit të përvojave në kuadër edhe të projekteve rajonale.
“Me këtë memorandum bashkëpunimi hedhim një hap përpara për forcimin e ndërveprimit në fushën e shëndetësisë mes dy vendeve tona. Më konkretisht, për shkëmbimin e përvojave në fushën e onkologjisë për fëmijët, për menaxhimit spitalor, për trajnimin e personelit shëndetësor dhe shkëmbimin e përvojave dhe ekspertizës në kuadër të projekteve rajonale në fushën e shëndetësisë”, u shpreh  Manastirliu.
Nga ana e tij, homologu grek Andreas Ksanthos e cilësoi një tjetër urë lidhëse këtë bashkëpunim të nisur.
 “Kemi shumë gjëra që na bashkojnë dhe ky memorandum bashkëpunimi është një urë lidhëse për të intensifikuar bashkëpunim në fushën e shëndetësisë, për trajtimin sa më të mirë të qytetarëve të të dy vendeve tona, që kanë nevojë për shërbime shëndetësore”.
Takimi u zhvillua në spitalin Aghia Sofia të fondacionit “Elpida – Marianna V. Vardinoyanis”, ku u firmos një marrëveshje e rëndësishme për trajtimin e fëmijëve shqiptarë të diagnostikuar me leuçemi dhe tumore malinje, përmes binjakëzimit të spitalit Anghia Sofia dhe QSUT.
Si do të mund të përftojnë fëmijët shqiptarë nga kjo marrëveshje? 
Kjo marrëveshje do krijojë mundësinë për trajtimin në këtë spital të 6 fëmijëve shqiptarë në vit, të diagnostikuar me leucemi, që kanë nevojë për transplant të palcës ose raste të komplikuara që kanë nevojë për një trajtim më të specializuar.
Presidentja e Fondacionit Elpida, Marianna V.Vardinoyanis garantoi mbështetjen për fëmijët shqiptarë, për trajtimin falas në spitalin Aghia Sofia në Athinë. Kjo e fundit e ka konsideruar një epokë të re mes dy vendeve.
“Me këtë marrëveshje hapin një erë të re bashkëpunimi mes Greqisë dhe Shqipërisë, duke përcjellë mesazhin te familjet këtej dhe andej kufirit se ka një shpresë për trajtimin e fëmijëve me kancer që kanë nevojë për transpalnt të palcës”, u shpreh presidentja e Fondacionit “Marianna V. Vardinoyanis”.
Ministrja Manastirliu falenderoi homologun grek dhe posaçërisht Vardinoyanis, për mbështetjen e pakursyer për trajtimin e fëmijëve shqiptarë në spitalin Aghia Sofia.
Në fund të takimit dy ministrat e Shëndetësisë të Greqisë dhe Shqipërisë u vlerësuan me çmimin e solidaritetit për kontributin e çmuar në fushën e shëndetësisë. z.tosku /a.g/
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakDeputetja e Listës Serbe: Tema e të pagjeturve është politizuar
Artikulli tjetërMeta në Samitin e Krerëve të Shteteve të Procesit të Brdo-Brijunit