PARIS, 26 prill /ATSH-AFP/ – Marrja e medikamenteve të quajtura antikolinergjikë që përdoren në raste të depresionit apo urinimit të pavullnetshëm lidhet me një rrezik të shtuar të demencës, sipas hulumtuesve britanikë të cilët këmbëngulin gjithsesi në pamundësinë e vendosjes së një lidhjeje shkak pasojë.
Studimi i publikuar në revistën mjekësore BMJ u ndërmor me një grup prej 300 000 personash në Britaninë e Madhe. Personat që vuajnë nga demenca kishin 30% më tepër mundësi se të tjerët të kishin marre medikamente antikolinergjike për të kuruar depresionin, simptoma të sëmundjes së Parkinsonit apo urinimit të pavullnetshëm, në një periudhë nga katër deri ne njëzet vjet përpara diagnostikimit.
Edhe pse studimi tregon një lidhje midis të dyve, ajo që nuk dimë me siguri është nëse kura e përdorur është shkaku i demencës, u shpreh një prej autorëve të studimit, George Savva i Universitetit të East Anglia.
Kjo lidhje mund të shpjegohet gjithashtu me faktin se këto kura janë të përshkruara për simptoma shumë të hershme që tregojnë shfaqjen e një demence, shton Saavva.
Autorët e studimit vlerësojnë se mjekët duhet të shmangin rekomandimin e barnave antikolinergjikë për një periudhë afatgjatë tek pacientët më të moshuar. Për më tepër, ata u bëjnë thirrje pacientëve të cilët marrin këto kura të mos i ndërpresin ato vetë pa u këshilluar më parë me mjekun.
Medikamentet antikolinergjikë veprojnë duke bllokuar mekanizma të nevojshme tek impulset nervore dhe përdoren për të kuruar disa lëvizje të pavullnetshme muskulore, në rastin e urinimit të pavullnetshëm apo sëmundjes së Parkinsonit, për shembull.
Disa prej tyre mund të rekomandohen gjithashtu në raste si depresioni, sëmundjet kronike të mushkërive apo astmës.
”Më shumë se 50 milionë persona në botë vuajnë nga demenca (shen. perkth. nuk eshte nje semundje specifike, por nje grup simptomash qe prekin aftesite intelektuale dhe sociale me mjaft ndikim ne funksionimin e perditshem te individit) dhe parashikohet që ky numër mund të rritet deri në 132 milionë deri në vitin 2050. Për këtë arsye hartimi i një strategjie për të parandaluar këtë fenomen është një prioritet botëror”, sipas George Savva.
Në vitin 2015, një studim amerikan kishte përcaktuar ndërkohë një lidhje mes marrjes së medikamenteve antikolinergjikë në doza të larta apo për periudha afatgjata dhe demencave (në krye të të cilave renditet sëmundja e Alzhaimerit)./
/v.b/























