Po pengohet puna e komisionit hetimor “Tahiri”

TIRANË, 25 Prill/ATSH/ – Opozita akuzoi sot Drejtorinë e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar se po pengon punën e anëtarëve të opozitës në komisionin hetimor “Tahiri”, duke mos i pajisur ata me certifikata sigurie.

Përmes një deklarate për shtyp, deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, anëtar i komisionit “Tahiri” theksoi sot se, “6 javë pas ngritjes së komisionit hetimor “Tahiri”, nuk është bërë asnjë veprim i rëndësishëm hetimor, sepse puna e anëtarëve, përshirë kryetarin, është bllokuar”.

“Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK), ka vonuar dhe bllokuar pajisjen me certifikatë sigurie të deputetëve të opozitës në Komision. Pa asnjë arsye ligjore, Drejtoria ka refuzuar zyrtarisht edhe pajisjen tonë me certifikatë provizore sigurie, pavarësisht se kjo është një praktikë normale punë e DSIK-së dhe që jepet brenda ditës‎”, u shpreh Alibeaj.

Pa çertifikatën e sigurisë, sipas tij, deputetët nuk mund të shohin dokumentat sekretë që kanë filluar të vijnë nga disa institucione. “Pengimi i punës së Komisionit Hetimor është një veprim kriminal, për të cilin Drejtori i DSIK do të mbajë përgjegjësi! Askush nuk mund të pengojë veprimtarinë e Komisionit Hetimor”, tha Alibeaj.

Partia Demokratike bën thirrje që të hiqet dorë ‎nga praktikat e paligjshme të bllokimit të punës së Komisionit Hetimor dhe cënimit të së drejtes kushtetuese të opozitës për kontroll parlamentar./m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.