TIRANË, 24 prill/ATSH/ – Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati gjatë një interviste të dhënë për “Zërin e Amerikës” foli rreth zërave që vijnë nga Gjermania dhe Franca për një votë kundër hapjes së negociatave të BE me Shqipërinë.
Ai theksoi se koha e mbetur në dispozicion do të shërbejë për të marrë edhe mbështetjen e dy shteteve për hapjen e negociatave.
“Franca dhe Gjermani janë vende që përgjithësisht e thonë të fundit fjalën e tyre, për shkak të peshës specifike që kanë në vendimmarrjen e Bashkimit Europian. Ne jemi në komunikim të vazhdueshëm më të gjitha vendet anëtare të BE dhe natyrisht edhe me Gjermaninë dhe Francën. Besojmë se vizita e nesërme e Kryeministrit dhe takimi i tij jo vetëm me kancelaren Merkel, por edhe me kreun e Bundestagut, fraksionet kryesore politike në Bundestag dhe me përfaqësues të medias, shoqërisë civile dhe komunitetit të biznesit, do të jetë një shtysë në këtë drejtim. Sikundër gjatë këtyre dy muajve do të vijojmë kontaktet në lidhje me procesin e reformave, kryesisht reforma në fushën e sundimit të së drejtës në ekonomi, edhe me Francën dhe vende të tjera të cilat kërkojnë më shumë informacion dhe kërkojnë ta shfrytëzojnë kohën e mbetur në mënyrë sa më efektive, që në fund të kemi një vendimmarrje që do të ishte e kënaqshme për të gjitha palët”, tha Bushati.
Sipas Bushatit, Shqipëria dhe rajoni ynë ka një konfirmim të perspektivës europiane, çka sipas tij flet qartë edhe me samitin që do të mbahet në muajin maj në Sofje.
“Fakti që për herë të parë që nga Samiti i Selanikut në 2003, rreth 15 vite më pas ne kemi një takim të nivelit të lartë në muajin maj në Sofje dhe një konfirmim të perspektivës europiane për vendet e Ballkanit Perëndimor, flet qartë për klimën e zgjerimit brenda Bashkimit Europian, e cila nuk është më e mira e mundshme. Por, nga ana tjetër duhet të mbajmë në konsideratë atë çka ka deklaruar përfaqësuesja e politikës së Jashtme të BE-së, Mogerini apo Presidenti Tusk sot në Tiranë, që këtu bëhet fjalë jo thjeshtë për procesin e zgjerimit, por për procesin e konsolidimit të projektit europian. Sepse është e pamundur që në shekullin XXI të jetë më e vështirë për të udhëtuar nga Sarajeva në Tiranë, sesa nga Tirana në Pekin.
Ministri iu përgjigj edhe pyetjes mbi korrupsionin duke thënë se ky i fundit nuk është vetëm një sfidë shqiptare, por edhe rajonale, çka sipas tij në Shqipëri do të luftohet me thellimin e reformave.
Lidhur me negociatat me Greqinë për marrëveshjen e detit, Bushati tha se ka pasur disa vonesa, por kjo e fundit ka ndodhur për të pasur një rakordim sa më të mirë, që marrëveshja të jetë sa më e drejtë dhe sa më e zbatueshme. Ndërsa për transparencën e marrëveshjes, ministri tha se opinionit publik do i bëhet i ditur çdo informacion pas çdo raundi të përfunduar. /z.tosku//e.caushi/











