Borchardt: Reformë të plotë dhe në kohë për zgjedhjet

TIRANË, 20 prill/ATSH/- Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Bernd Borchardt, ritheksoi të premten se rekomandojmë fort një reformë të plotë dhe në kohë, një reformë që trajton të gjitha rekomandimet e papërmbushura të OSBE/ODIHR-it nga zgjedhjet e viteve 2013, 2015 dhe, sigurisht, ato të vitit të kaluar.

Në mbledhjen e radhës së Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, të organizuar me mbështetjen e Prezencës së OSBE-së, në formën e një tryeze teknike pune, Borchardt tha se “aktiviteti i sotëm është i pari i një sërë tryezash teknike pune që Komisioni i Posaçëm planifikon të organizojë për fusha specifike të zgjedhjeve. Shpresoj shumë që diskutimet në këtë tryezë të jenë sa më të thelluara, pasi ato janë baza për marrjen e vendimeve politike nga Komisioni dhe, më pas, nga Kuvendi”.

“Mandati i Komisionit të Posaçëm u zgjat së fundmi dhe unë i rekomandoj fort Komisionit ta finalizojë reformën zgjedhore brenda këtij afati të ri. Hapat përgatitorë që Komisioni ka ndërmarrë deri tani, si përcaktimi i objektivave, hartimi i kalendarit të punës dhe dëgjesat me shoqërinë civile, kanë qenë më se të lavdërueshme”, nënvizoi Berchardt duke shtuar se tani është koha për rezultate konkrete.

Ai u shpreh se “bashkë me OSBE/ODIHR-in, ne po i ofrojmë mbështetjen tonë të plotë parlamentit shqiptar në realizimin e reformës”.

“Një nga çështjet që u përmend nga bashkëkryetarët është çështja e shumëdiskutuar e blerjes së votës. ODIHR-i rekomandon që “nevojiten përpjekje serioze për të trajtuar çështjen e vazhdueshme të blerjes së votës, si nëpërmjet një fushate për ndërgjegjësimin qytetar, ashtu edhe nëpërmjet ndjekjes penale, me qëllim forcimin e besimit te procesi zgjedhor”, tha Borchardt.

Kreu i OSBE-së tha se “e nxis fort Komisionin e Posaçëm dhe pjesëmarrësit e tjerë që të zhvillojnë diskutim të hapur, praktik dhe të orientuar drejt rezultateve, bazuar në gjetjet, si edhe në përvojën e gjerë të secilit prej jush”. /k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.