Ballina Aktualitet

Ligji “Për strehimin social”, debate mes mazhorancës dhe opozitës

TIRANË, 17 Prill/ATSH/- Miratimi i ligjit “Për strehimin social” në Komisionin e Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë përplasi sot në deklarata përfaqësuesit e mazhorancës dhe të opozitës.

Kryetari i Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili reagoi pas mbledhjes së Komisionit të Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë dhe miratimit sipas tij, në mënyrë të njëanshme të ligjit për Strehimin Social.

“Në mënyrë të njëanshme dhe pa asnjë shkak, Komisioni i Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë është mbledhur vetëm me anëtarët e Partisë Socialiste, pas një kërkese timen si kryetar i komisionit, për shtyrjen vetëm një ditë të punimeve të komisionit nga dita e martë në ditën e mërkurë, për shkak të impenjimeve politike të shumicës së anëtarëve të opozitës, lidhur me çështjet që kishin të bënin pikërisht me ditën e sotme të raportit që pret Shqipëria dhe të komunikimeve politike të caktuara”, shprehet Vasili.

Vasili tha se, “ligji për strehimin social është miratuar në parim, me konsensus të plotë mes mazhorancës dhe opozitës dhe ky ka qenë një nga rastet e veçanta, pse jo pozitive, ku është gjetur dakordësi për një çështje të caktuar”.

Pretendimeve të mazhorancës se është humbur kohë me miratimin e ligjit, Vasili i përgjigjet duke kujtuar se “ligji është mbajtur nga mazhoranca dhe ministria përkatëse për të reflektuar vërejtje pa fund, pasi në 90% të tij ka qenë një ligj i dobët dhe kërkonte rregullime pa fund.

Ndaj, sipas Vasilit qëllimi i mazhorancës për ta miratuar këtë ligj sot është shumë i thjeshtë. “Mazhoranca miratoi në mënyrë të përçudnuar ligjin, në mënyrë që mjaft qytetarë në nevojë të mos kenë mundësi të përfitojnë nga ky ligj dhe që dispozitat e tij të orientohen dhe të përfitojnë ata të cilët kanë teserën e partisë”, tha Vasili.

Spiropali: Nuk bëjmë kurban interesat e qytetarëve për hir të konfliktit politik

“Nuk mund të bëjmë kurban interesat e qytetarëve për hir të konfliktit tonë politik”. Kështu deklaroi deputetja e Partisë Socialiste, Elisa Spiropali, e cila reagoi sot pas deklaratës së Vasilit.

“Shprehim keqardhjen tonë që në këtë komision munguan përfaqësuesit e opozitës. Kemi punuar së bashku në komision për projektligjin. Por nuk mund të mos themi që ky projektligj kaq i rëndësishëm për qytetarët shqiptarë është shtyrë pafundësisht po në këtë komision. Ka ardhur që me 17 janar këtu. Nuk mund të bëjmë kurban interesat e qytetarëve për hir të konfliktit tonë politik. Këtë duhet ta kenë të qartë dy drejtuesit e opozitës, Basha dhe Kryemadhi, por edhe Vasili që është kryetar i Komisionit”, tha Spiropali./m.m/

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFILIPINE – Zëvendëspresidentja kërkon falje për foton në Memorialin e Holokaustit
Artikulli tjetërPrincesha e Tajlandës viziton Muzeun Historik